Politikë

“Protesta e 10 shkurtit”, Ilir Alimehmeti: Duhen tubime të qëndrueshme për të larguar Ramën

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, theksoi se duhen protesta të qëndrueshme kundër qeverisë Rama. Alimehmeti shtoi se qëndresa është e domosdoshme dhe theksoi se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te abuzimet e njohura të kryeministrit Edi Rama, por te krijimi i një alternative reale qeverisëse.

Sipas tij, opozita duhet të unifikohet rreth pak objektivave kryesore, të fokusohet te protestat masive për të krijuar presion real dhe numra të mëdhenj në rrugë, si parakusht për zgjedhje të lira dhe largimin e qeverisë aktuale.

“Duhet qëndresë sot, se fëmijët po ikën jashtë, nuk kthehen më. Për këtë duhet qëndresë, jo për abuzimet e Ramës. I dinë njerëzit ato. Do diskutim brenda brenda nesh në radhë të parë se si kthehet në alternativë qeverisëse Partia Demokratike, opozita në tërësi e të gjithë forcat e tjera dhe si këto lloj idesh mund të kthehen më pas me forcë ligjore sepse përndryshe mbetet një narrativë e bukur, mbetet një diçka që folëm neve, na mbeten dy reels-a nëpër YouTube. Por, kaq. Alternativa e qeverisë arrihet vetëm me një formë, në mënyrë të palëkundur, qëndresë dhe numra.

Jo 200 ide dhe 400 ide, po një, dy, tre objektiva fikse të konsoliduara që janë emërues i përbashkët për çdo forcë politike opozitare. Dhe kur jemi të qartë këtu, kur të arrihet hapi i parë, pastaj diskutohet edhe hapi i dytë. Pra, si hyn në zgjedhje, që ishte çështja e dytë. Por, po s’arrite premisat për të shkuar aty duke rrëzuar Edi Ramën dhe duke shkuar drejt një palë zgjedhje që të jenë të lira dhe të ndershme, gjithë pjesa tjetër pastaj është e kotë. Prandaj të jemi shumë të qartë, ka vetëm një mesazh, ndërgjegjësim për largim kësaj qeverie një ore më pare”, tha Alimehmeti në studion e “Off the Record”,  në A2CNN.