Politikë

Protesta kundër resortit të Ulajt në Velipojë, Shehaj: Qeveria mbron oligarkët, miratoni ligje në favor të të fortëve

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka komentuar në Kuvend protestën e banorëve në Rrjoll të Velipojës, kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt. Shehaj akuzon qeverisë se mbron oligarkët dhe merr vendime në favor të tyre.

“Në nuk e di sesi vini dhe flisni për fondet e BE. Fondet e IPARD 180 mln euro ju i ndatë me miqtë tuaj, me kryetarët e bashkive, deputetët e ministra. Be i ndaloi dhe tha jo vetëm që nuk japim këto 100 mln euro, duhet të na ktheni dhe ato 80 mijë euro që keni vjedhur. Fondet ishin këtu, qeveria thjesht do t’i shpërndante.

Nuk ka ditë që nuk ndodh një konflikt për prona në këtë vend. Qytetarët që protestojnë për pronat e tyre se policia me urdhrin tuaj shkon atje për të mbrojtur oligarkët, miqtë tuaj. Ju e pranoni dhe nuk e imagjinoni sesi mundet të zbatohet ligji dhe prona të shkojë tek pronarët legjitimë.

Janë në tokën e tyre, janë në pronën e tyre. Nuk di të them kush ka të drejtë, por di të them me kë jeni ju, interesin e kujt mbroni. Këtë e keni treguar duke marrë vendime në favor të të fortit. Dolën përgjime të Belinda Ballukut pikërisht për këtë oligark, për rrugën Thumanë-Kashar. Balluku thotë ‘po i bëjmë nderin e jetës’. Ju jeni gjithmonë me abuzuesit se abuzoni bashkë”, tha Shehaj.