Partia Demokratike ka reaguar lidhur me protestat e banorëve të Rrjollit në Velipojë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonë, duke akuzuar qeverinë dhe Bashkinë Shkodër për krim mjedisor. Në një deklaratë zyrtare, dega e PD-së në Shkodër shprehet se ndërtimi në zonën e Baks Rrjollit përbën një shkelje të rëndë mjedisore dhe pasojë të drejtpërdrejtë të abuzimeve me zhvillimet ndërtimore.
Në deklaratën e saj, Partia Demokratike shmang qëllimisht përmendjen e emrit të Bashkim Ulajt, ndonëse protestat lidhen drejtpërdrejt me resortin që ai po ndërton në Rrjoll. PD zgjedh të sulmojë qeverinë dhe bashkinë, por lë jashtë emrin e përfituesit konkret të projektit, duke krijuar një boshllëk të dukshëm në qëndrimin e saj publik.
Demokratët theksojnë se nxjerrja e zonës nga statusi i mbrojtur ka hapur rrugën për ndërtimet. “Hapësira e fshatit Baks Rrjoll u nxor qëllimisht nga Zona e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë në vitin 2019 dhe si e tillë më pas ishte më e lehtë të binte pre e abuzimit me ndërtimet dhe krimin mjedisor”, thuhet në deklaratë.
PD ndalet edhe te ndryshimet ligjore të vitit 2024, të cilat sipas saj kanë forcuar kontrollin e Këshillit Kombëtar të Territorit mbi lejet e ndërtimit, përfshirë edhe zonat e mbrojtura. Sipas demokratëve, “ky është rasti konkret i kapjes së pushtetit nga interesa të ngushta të zhvillimit të territorit me një dëm kolosal mjedisor dhe në kundërshti të plotë me komunitetin”.
PD lidh konfliktin në Rrjoll me përplasjet e tjera të qeverisë me komunitetet lokale, duke përmendur raste si Thethi dhe bizneset në hyrje të Shkodrës, të cilat sipas saj tregojnë një model të përsëritur qeverisjeje.
“Partia Demokratike dega Shkodër dënon krimin mjedisor dhe ndërtimin abuziv që po ndodh në zonën e Baks Rrjollit pjesë e Njësisë Administrative Velipojë dhe e Bashkisë Shkodër. Ky krim vjen si pasojë e abuzimeve në zhvillimet ndërtimore për interesa të ngushta të aktorëve të përfshirë dhe të mbështetur nga pushteti.
Hapësira e fshatit Baks Rrjoll u nxor qëllimisht nga Zona e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë në vitin 2019 e si e tillë më pas ishte më lehtë të binte pre e abuzimit me ndërtimet dhe krimin mjedisor që po ndodh.
Në vitin 2024 po ashtu flasim për tentativën e dytë ligjore që shkon në drejtim të abuzimit me zonat që janë në presion të zhvillimeve ndërtimore ku me amendimin e ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, Këshilli Kombëtar i Territorit fiton kompetencën e dhënies së lejeve të ndërtimit edhe në zona të mbrojtura.
Ky është rasti konkret i cili vjen si pasojë e kapjes së pushtetit nga interesa të ngushta të zhvillimit të territorit me një dëm kolosal mjedisor dhe kundër çdo parimi të zhvillimit të qëndrueshëm e në kundërshti të plotë me komunitetin.
Kjo qeverisje sa herë tenton të zbatojë projekte apo zhvillime propagandistike hyn në konflikt me komunitetin, konflikt me banorët në Theth, konflikt me banorët në Rrjoll, konflikt me bizneset tek hyrja e qytetit. Kjo qeverisje kërkon ta përdorë popullatën si instrument për të mbajtur pushtetin por nuk punon për komunitetin me qëllim rritjen e standardit të jetesës dhe të mirëqenies.
Nga ana tjetër kemi Bashkinë e cila fshihet pas gishtit, e cila duhet të jetë mbrojtësja e interesave të territorit të bashkisë, por që lë në mëshirë të fatit banorët e saj dhe nuk ka forcën të shprehë kundërshtinë e projektit sepse funksionon si zgjatim i pushtetit të qendrës.
Kjo bashki as nuk kryen detyrimin ligjor për marrjen e tarifës apo 3 për qind të investimit për qëllime të strehimit social në kuadër të projekteve ndërtimore.
Një bashki që është e detyruar të heshtë për krimin mjedisor, një bashki e paaftë për të zbatuar instrumentet ligjore që i përkasin.
Partia Demokratike do të qëndrojë gjithmonë në krah të interesit publik, në krah të komuniteteve dhe në krah të zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e PD.