Politikë

“Protestat për mbijetesë politike”, Alesia Balliu: Sali Berisha të dorëhiqet si kryetar i PD-së

Sali Berisha duhet të japë dorëheqjen si kryetar i PD-së. Thirrja drejtuar kreut të PD-së është bërë nga Alesia Balliu, e ftuar në emisionin ‘Studio Live” në Report TV.

Duke akuzuar Sali Berishën si problemin më të madh që ka Partia Demokratike, Balliu tha se është pikërisht ai që e bën opozitën të mos jetë e besueshme, fituese dhe mos të ketë as kartën e moralit.

“Berishës do t’i kërkoja të jepte dorëheqjen dhe mos të rigaronte për kryetar të PD meqë jemi edhe afër zgjedhjeve për kryetar që janë në prill.

Do të ishte një shpëtim për PD, shpëtim për demokracinë, hapje dere e opozitës në faktorin ndërkombëtar, hapje dere e opozitës me drejtësinë.

Sot që flasim, Berisha është ai që i ka problemet me ndërkombëtarët, i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe që sulmon SPAK-un.

Kjo opozitë s’mund të jetë e besueshme për qytetarët, të ngjallë shpresë apo të bëjë ndryshimin. Që partia opozitare të jetë fituese është që karta fituese është e moralit që fatkeqësisht ky lidership nuk e ka”, tha Balliu.

Madje sipas saj, edhe protestat e thirrura nga Partia Demokratike nuk kanë si qëllim largimin e Edi Ramës si Kryeministër, por mbijetesën politike të Sali Berishës.