Politikë

“Protestuesit e Rrjollit dhe Durrësit po na frymëzojnë të gjithëve”- Shehaj: Iu është vjedhur pronarëve legjitimë dhe atyre që kanë certifikatë pronësie

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori pjesë sot në protestën për pronat para Parlamentit, duke denoncuar grabitjen e tokave nga pushtetarë dhe oligarkë të lidhur me njëri-tjetrin.

Shehaj shtoi se grabitja e pronave nuk ndalet as për ata qytetarë që posedojnë certifikata pronësie.

Ai përgëzoi protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit për qëndresën.

Agron Shehaj: Qytetarët po vuajnë nga rrëmbimi i pronës. Është e pabesueshme se si në 2026 një parti politike duhet të organizojë për herë të parë një protestë kundër rrëmbimit të pronës. Nuk jemi në 45-ën kur pronat vidhehshin nga komunistët, jemi në 2026 dhe prona vijon e vidhet e kjo është e papranueshme.

Iu është vjedhur pronarëve legjitimë, ose më mirë nuk u është njohur kurrë. Sot po u vidhet edhe atyre që kanë certifikata pronësie.

Duhet të përgëzoj të gjithë protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit, po na frymëzoni të gjithëve. Kurrë nuk kishte ndodhur pavarësisht grushteve, të fortëve me kapuç, shkopave të gomës që i rrahin qëndrojnë aty, ata nuk dorëzohen. Jeni frymëzim për të gjithë shqiptarët.
Ne na keni në krah, për çështjen e pronës na keni në krah.

Ndërkohë që ju duroni dhunën e policisë private, ndërkohë që ju përplaseni me olgarkët, Parlamenti, partitë politike me kë janë? Janë me ata, kanë qenë me ata këto 35 vjet dhe nuk e hapin gojën jo vetëm se janë ortakë por sepse gënjejnë. Nuk ka resort në Jug që nuk ka deputetë, ministra, politikanë, zyrtarë me nga një vilë sepse ju kanë shitur dhe vazhdojnë ju shesin.
Vijnë na thonë që nuk keni letra, nuk keni se nuk ua kanë dhënë ua kanë mohuar. Nuk ka shqiptarë që nuk ka një histori dhimbje një kalvar me çështjen e pronës.