Politikë

Pse Berisha po e trajton “Foltoren” e Salianjit si Kryengritje në PD?

Ervin Salianji ka trazuar ujërat në Partinë Demokratike. Ai ka nisur një ‘Foltore’ me demokratët, në emër të asaj që e konsideron si ripërtëritje e PD-së dhe bashkim të demokratëve për të mundur Edi Ramën. Në anën tjetër, Sali Berisha, kreu i PD-së, ka nxituar ta etiketojë lëvizjen e Salianjit si një agjendë personale, duke nxitur në anën tjetër akuza dhe sulme ndaj anëtarit të Kryesisë së PD-së.

Dhe me mënyrën se si po sillet ndaj një lëvizjeje, që mund të ndërmerrte kushdo në PD, duket se Berisha ka si qëllim të krijojë një përplasje me Salianjin dhe cilindo që sot qëndron në krah të tij. Duket se kjo lojë e Berishës ka bërë që protagonistët e lëvizjes të shfaqen në media dhe të sqarojnë se ata nuk synojnë as përçarjen, as postin e kryetarit, por po mbledhin mendimin e demokratëve, se si mund të forcohet PD.

Në fakt çfarëdo që të deklarojnë Salianji, Alimehmeti, Kalaja dhe kushdo tjetër që ndodhet në lëvizje, Berisha e ka ndarë mendjen që do i trajtojë si kryengritës ndërsa ‘Foltoren’ si një kryengritje.

Kjo për faktin e thjeshtë, se Salianji dhe ata që e mbështesin janë të parët që morën guximin të ndërmarrin një lëvizje në partinë e kontrolluar nga Berisha, dhe të shfrytëzojnë apatinë e atyre që kreu i PD-së ka në krah, por edhe pakënaqësinë e krijuar jo vetëm nga humbja e rradhës, por edhe arroganca që tregon lidershipi i kësaj partie. Ata janë të parët që po sfidojnë Berishën që nga momenti që ai mori në dorë vulën e logon dhe që ‘gjunjëzoi’ në emër të bashkimit në diversitet të gjithë ata që i rezistuan për muaj me rradhë, duke i tundur para syve titullin e “non grata-s”.

Kaq mjafton që Berisha këta të lëvizjes Salianji t’i quajë edhe tradhëtarë, gjë që ka nisur të artikulohet në forma të ndryshme. Dhe duket se për Berishën çdo ndryshim është “komplot” dhe çdo kërkesë për reformë është “tentativë përçarjeje”. Për 3 vjet, Berisha nisi të ringrejë ‘mitin’ që iu nëpërkëmb me ato përplasjet që pati me grupimin e Lulzim Bashës, ndërsa sot po përballet me një nga ata protagonistët e 4 viteve më parë, por që dikur qëndronte në krah të ish-kreut të PD-së.

Dhe kjo mund të jetë një tjetër arsye, pse Berisha mund të shtojë dozat e sulmit ndaj Salianjit, pasi në të gjithë historinë e PD-së, nuk i ka ndodhur asnjëherë që të sfidohet dy herë nga i njëjti personazh.

Berisha nuk e beson atë që Salianji deklaron, sikundër ai s’mund të pranojë që të sfidohet në një moment kur kishte vendosur të ruante “status-quon”, të paktën deri në pranverën e 2026-ës.

Nga dhjetori i 2021, kur ndërmorri atë që e quajti në atë kohë si Kuvendi i Rithemelimit, Berisha arriti që të gjithë PD-në ka kthente në një armaturë personale. Kjo ishte arsyeja që ai nuk bëri asnjë lëvizje në të gjitëh kupolën e PD-së, ndërsa përdori me sukses argumentin se ‘tani duhet të merremi me manipulimin zgjedhor’ dhe më pas do të bëjmë analizën e humbjes.

Dhe ata që do të bëjnë analizën janë të njëjtët që janë sot në lidershipin e PD-së, kush më shumë e kush më pak përgjegjës për humbjen.

Nisur nga kjo, Salianji vendosi të ndërmerrte një tur, një lëvizje, duke shfrytëzuar pikërisht pikën e dobët, mospërfilljen e atyre që vetëm pak muaj më parë promovoheshin si figura të reja, ose si më të votuarit e primareve.

Lëvizja Salianji në raport me Sali Berishën nuk mund të trajtohet si një krisje personale. Salianji nuk ka qenë ndër të preferuarit e Berishës në asnjë moment, madje në të vetmen garë ku ai mori pjesë, atë për kreun e FRPD në 2015-ën, kreun aktual të PD-së, bashkë me enturazhin që kontrollonte, e kishte kundër.

Sot Salianji dhe ata që kanë në krah po artikulojnë se PD nuk mund të fitojë ndaj Ramës nëse ajo nuk merr mbështetjen përtej anëtarësisë apo mbështetësve të opozitës, thënë ndryshe elektoratit “gri”. Dhe këtu Berisha nuk është zgjidhja. Në këtë kuptim, lëvizja e Salianjit është logjike, përsa kohë po artikulohet se hapja e PD drejt figurave të reja dhe krijimi i një komunikimi më të gjerë me qytetarët, është një domosdoshmëri.

Por e gjitha kjo e shndërron Berishën nga një lider të fortë, në një lider simbolik, apo kryetar nderi. Dhe natyrisht që reagimi i Berishës ishte i pritshëm. Ai nuk mund të tolerojë askënd të lëvizë jashtë orbitës së tij, aq më tepër në një parti që e ri-morri pas një lufte me atë që e konsideronte si “birin politik”.

Në të gjithë zhvillimet në PD, Berisha ka dhënë përgjigje emocionale, por jo politike, ndërsa Salianji kërkon përgjigje institucionale. Dhe kjo është arsyeja pse ajo që po ndodh sot në PD mund të shndërrohet në një konflikt jo të përkohshëm. /Pamfleti/