Punonjëset e lavanderisë dhe kuzhinës në QSUT kanë dalë sot në protestë, pasi muaji nuk kanë marrë pagat.
Për disa minuta, ato kanë ndërprerë punën dhe janë grumbulluar para drejtorisë së Spitali Nënë Tereza, duke kërkuar pagesën e rrogave. Punonjëset shprehen se situata është bërë e vështirë, sidomos në prag të fundvitit, pasi kanë familje dhe shpenzime për të përballuar.
Sipas tyre, pas ndërhyrjes dhe presioneve nga drejtuesit, protesta është shpërndarë, pasi u është premtuar se pagat do të kalojnë ditën e hënë. Megjithatë, stafi paralajmëron se nëse premtimi nuk mbahet, do të rikthehen sërish në protestë.
Në një denoncim të bërë publik nga vetë punonjëset, ato sqarojnë se bëhet fjalë për stafin e lavanderisë dhe të kuzhinës që shpërndan ushqimin në spital, të cilat prej një muaji nuk kanë marrë pagën dhe ndihen të detyruara të reagojnë publikisht për të kërkuar të drejtën e tyre.
Shërbimi i hotelerisë në QSUT, që përfshin lavanderinë dhe shërbimin e kuzhinës, realizohet nga kompania A.G.S Sh.p.k, në pronësi të Alma Tafanit.
Kjo kompani ka fituar tenderin për shërbimin e lavanderisë në QSUT, një kontratë me vlerë rreth 10 milionë euro, me afat 4-vjeçar. Procedura e prokurimit u bë në mungesë konkurrence, pasi në marrëveshjen kuadër të zhvilluar nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara është paraqitur vetëm një ofertë, ajo e A.G.S Sh.p.k., e barabartë me 99.9% të fondit limit.
Denoncimi i stafit për JOQ:
“Pershendetje Joq, Jemi ne proteste na ndihmoni Jemi punonjeset e lavanteria e spitaleve nene tereza dhe guzhina qe shperndan ushqimin. Sna kan paguar rrogat. Po tani u shperndam dhe po ikim ke vendi punes Se na than te henen do ja u hedhim pagat Por kemi 1 muaj pa marre pagen”