Aktualitet

Qytetarët e Vlorës 4 ditë pa ujë, mbërrijnë në Rinas pajisjet për riparimin e defektit

Qytetarët në Vlorë prej katër ditë po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti të rëndë teknik në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Mësohet se pajisjet e nevojshme për riparimin e defektit kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Turqia dhe pritet që të transportohen drejt Vlorës për të nisur ndërhyrjen teknike.

Kreu i AKUK-ut në Vlorë, Flaures Shoshi i ka siguruar qytetarët e Vlorës, të cilët janë pa ujë prej 4 ditësh, se në mesnatë qyteti do të furnizohet me ujë.

“Pajisjet janë duke mbërritur, sot në mesnatë qyteti do të furnizohet”, u shpreh Shoshi.

“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë.

Punonjësit e ujësjellësit dhe inxhinierët janë në krye të detyrës. Mirënjohje për punonjësit që kanë qëndruar 72 orë në ujë dhe në kushte brutale atmosferike për t’i sjellë ujë qytetit.

Ndjesë të gjithë qytetarëve që nuk po marrin furnizim dhe u themi se jemi në detyrë ditë e natë, deri sa ta kthejmë furnizimin me ujë të Vlorës në normalitet”, tha ai.