Një skandal i rëndë financiar dyshohet se ka përfshirë Bankers Petroleum dhe Raiffeisen Bank në Tiranë, në një skemë që sipas burimeve hetimore ka pasur si qëllim shmangien e detyrimeve të papaguara ndaj shtetit shqiptar dhe kreditorëve të tjerë privatë.
Sipas të dhënave që janë bërë pjesë e një dosjeje në SPAK, dyshohet se Raiffeisen Bank ka ndihmuar Bankers Petroleum të fshehë qarkullimin e parave përmes një mekanizmi financiar, në një kohë kur kompania kineze ishte e zhytur në borxhe të mëdha dhe llogaritë e saj në Shqipëri rrezikonin të sekuestroheshin nga Tatimet dhe përmbaruesit.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se Bankers Petroleum praktikisht nuk mund të kryente pagesa përmes llogarive të zakonshme bankare në vend, pasi çdo fond do të bllokohej menjëherë për shkak të detyrimeve të prapambetura. Në këto rrethana, dyshohet se është ngritur një skemë përmes një overdrafti të hapur nga Raiffeisen Bank.
Sipas pretendimeve, Bankers përdorte overdraftin për të kryer pagesa brenda Shqipërisë dhe më pas e mbulonte shumën e shpenzuar duke transferuar fonde nga llogaritë e saj jashtë vendit, konkretisht nga Vjena, duke u kujdesur që overdrafti të mos rezultonte kurrë me bilanc pozitiv. Limiti i këtij overdrafti dyshohet se ishte rreth 9 milionë dollarë, çka i lejonte kompanisë të operonte pa rrezikun e sekuestrimeve.
Për shkak se overdrafti konsiderohet borxh ndaj bankës dhe jo para të subjektit, legjislacioni aktual nuk lejon bllokimin apo ekzekutimin e tij, një fakt që sipas përmbaruesve është shfrytëzuar për të shmangur detyrimet ligjore.
Skema dyshohet se është konstatuar nga disa përmbarues, të cilët nuk arrinin të ekzekutonin vendimet gjyqësore ndaj Bankers Petroleum. Njëri prej tyre, Altin Latifi, i është drejtuar me shkresë zyrtare Raiffeisen Bank, duke e paralajmëruar se veprimet e pretenduara përbëjnë shkelje të ligjit dhe mund të klasifikohen si vepër penale, sipas nenit 320 të Kodit Penal.
Në shkresën zyrtare, përmbaruesi dyshohet se ka theksuar se banka ishte në dijeni të humbjes së proceseve të arbitrazhit nga Bankers Petroleum dhe se veprimet e saj po pengonin ekzekutimin e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar. Ai ka paralajmëruar se në rast të vijimit të këtyre transaksioneve, çështja do t’u referohej organeve ligjzbatuese.
Burime bëjnë me dije se kjo praktikë dyshohet se ka vijuar për një periudhë të gjatë kohe, edhe pasi është sinjalizuar, ndërsa vetëm së fundmi overdrafti është mbyllur, në një kohë që u rihap debati publik për gjobën e famshme prej 120 milionë eurosh të vendosur nga doganat ndaj Bankers Petroleum.
Hetimet për këtë çështje janë në vijim, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me shkelje ligjore apo me përdorim të instrumenteve financiare brenda kufijve të ligjit.