Politikë

Rama dënon sulmet e Iranit: Turqia është vend vëlla dhe aleat i çmuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dënuar sulmin me raketa balistike të Iranit ndaj Turqisë, duke e cilësuar atë një zhvillim të rrezikshëm që kërcënon stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Rama shprehet se ky është sulmi i dytë i tillë në pak ditë dhe sipas tij kjo tregon natyrën destabilizuese të veprimeve të regjimit iranian.

Kreu i qeverisë thekson se Turqia është një partner strategjik për Shqipërinë dhe një aleat i rëndësishëm në NATO, duke nënvizuar se tensionet e shkaktuara nga këto sulme mund të përshkallëzojnë më tej situatën në rajon.

Ai shton se përpjekjet për të përhapur tensione përmes sulmeve ndaj vendeve fqinje përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Në reagimin e tij, kryeministri shqiptar ka përshëndetur gjithashtu reagimin e shpejtë të NATO-s për mbrojtjen e territorit dhe hapësirës ajrore të aleancës.

Reagimi i Ramës

Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.

Turqia është një vend vëlla, një partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i çmuar i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tensione dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Veprime të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Shqipëria përshëndet reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë