Politikë

Rama me gjyqtarë e prokurorë: Si të doni, ju zëvendësoj me inteligjencë artificiale

Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, si dhe të sistemit të drejtësisë morën pjesë këtë të enjte në një tryezë të përbashkët ku u prezantua programi për konkursin ndërkombëtar të qendrës së drejtësisë.

Projekti parashikon një pol të ri urban të godinave të sistemit të drejtësisë në një sipërfaqe prtej 52 mijë metrash katrorë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama kërkoi nga drejtësia që të përqafojë teknologjinë, si mjet për të rritur standardet e shërbimeve që ofron për qytetarët dhe të përfshihet në sistemin e-Albania.

“Këtu një rol të rëndësishëm sigurisht ka qeveria e gjyqësorit dhe duhet ta bëjë, duhet ta luajë këtë rol, por ndërveprimi me sistemin tërësor të Republikës së Shqipërisë është i domosdoshëm. Të gjithë e marrim ujin nga i njëjti burim, por secili e hap dhe e mbyll rubinetin sipas nevojës së tij.

Nuk mundet dot që në emër të pavarësisë të kërkojmë secili hidrocentralin e vet për të marrë energjinë dhe secili ujësjellësin e vet për të marrë ujin. Ky është koncepti dhe kjo është shumë e rëndësishme për të garantuar që ky projekt që kemi të jetë një projekt që edhe nga kjo pikëpamje të funksionojë”, deklaroi Rama.

Por jo vetëm bashkimi me e-Albanian. Rama tha se teknologjia mund të zëvendësojë vitet e ardhshme disa pozicione në sistemin e drejtësisë. Ai u propozoi magjistratëve, që nëse duan, Qeveria mund të fillojë punën për ndihmësa ligjorë me inteligjencë artificiale, që mund t’i kenë gati brenda një viti.

“Unë besoj që nuk them ndonjë çudi, nëse them që na 4-5 vitet e ardhshme ndihmësi ligjor nuk do të ekzistojë më si profesion, se do të jetë inteligjencë artificiale. Thuhet se jo vetëm ndihmësi ligjor, po edhe të tjerët, por flasim për ndihmësin ligjor dhe nëse ju doni që ne të punojmë me një projekt për ndihmësin ligjor me inteligjencë artificiale, unë ju siguroj që brenda një viti, ju do keni një ndihmës ligjor që të jetë në një nivel shumë më të lartë se gjithë ndihmesat ligjor që keni, për shkak se do të dijë shumë më tepër”, shtoi kryeministri.

Në lidhje me projektin për ndërtimin e godinave të qendrës së drejtësisë, Rama deklaroi se për përfundimin e plotë të tij do të nevojiten të paktën pesë vite.