Pas aksionit të ndërtimeve dhe shkrirjes së inspektorateve, kryeministri Edi Rama ka vendosur të reformojë edhe administratën publike.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hedhur për konsultim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”. Në kuadër të këtij drafti, ndodhin një sërë ndryshimesh në ligj, duke filluar nga kompetecat e Sekretarëve të Përgjithshëm, te mënyra e organizimit të institucioneve, kabineteve të ministrave, etj.
Por një pikë mjaft interesante ka të bëjë me varësinë e institucioneve. Rama duket se po kujdeset që t’i marrë të gjitha vetë në dorë. Në ligjin e ri, ai ka futur një dispozitë, ku përcaktohet se mund të krijohen institucione në varësi direkte nga Kryeministri. Deri më tani nuk ka pasur një përcaktim të tillë. Edhe pse ka disa kufizime, duket se Rama po i shton kompetencat vetes.
“Një institucion varësie mund të funksionojë edhe në varësi të Kryeministrit nëse kryen funksione në mbështetje të kompetencave të tij në pajtim me nenin 102 të Kushtetutës apo funksione horizontale që nuk mund t’i përkasin fushës së veprimtarisë shtetërore të një ministrie të vetme. Një institucion në varësi të Kryeministrit nuk kryen funksione administrative:
a) të zbatimit të drejtpërdrejtë të ligjit, ofrimit të shërbimeve publike apo shërbimeve të brendshme për administratën shtetërore, apo;
b) të zbatimit të politikave shtetërore, hartimi i të cilave është nën fushën e përgjegjësisë shtetërore të një ministrie.
1/3. Përjashtimisht një institucion mund të funksionojnë në varësi të Kryeministrit, por vetëm përkohësisht, edhe nëse kryen një funksion të ndryshëm nga ato të lejuara sipas pikës 1/2 të këtij neni, nëse ky funksion përbën prioritet qeverisës sipas programit politik të Këshillit të Ministrave, të miratuar nga Kuvendi”, thuhet në dokument.
Sipas relacionit, qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i organizimit, funksionimit dhe llogaridhënies në administratën publike shqiptare.
“Nga analiza e detajuar në fazën e hartimit të politikave dhe vlerësimit të ndikimit janë evidentuar problemet kryesore dhe zgjedhjet për ndryshimin e politikave, nëpërmjet propozimit të këtij projektligji rreth këtyre çështjeve kryesore: i) tipologjia institucionale (organizimi i trupave joministrore); ii) sistemi i mbikëqyrjes/llogaridhënies së institucioneve për trupat joministrore; iii) institucionet në varësi të Kryeministrit; iv) përgjegjësia për vendimmarrjen dhe delegimi dhe v) institucione të vogla në varësi të ministrive“, thuhet në relacion.
Më tej thuhet se ndarja e përgjegjësive ndërmjet niveleve hierarkike (ministri, sekretari i përgjithshëm, drejtuesi i drejtorive të përgjithshme dhe drejtuesit e drejtorive) aktualisht rregullohet vetëm pjesërisht nga ligj 90/2012. Bazuar edhe në legjislacionin për manaxhimin financiar si dhe sanksionimin e rolit të sekretarit të përgjithshëm, ka rezultuar në mbipërqendrim të vendimmarrjes te ministri apo sekretari i përgjithshëm.
“Projektligji propozon dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete”, thuhet më tej.
Pra sinjalet janë se do të ketë ndryshime në shumë aspeket, që nga mënyra e organizimit të ministrive, deri te drejtoritë dhe kjo do të thotë se furtuna në administratë është afër.
Pjesë nga drafti
Neni 10
Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, shprehja “më i ulët” shfuqizohet.
2. Pas pikës 3 shtohen pika 3/1, 3/2, 3/3 dhe 3/4 me këtë përmbajtje:
“3/1. Drejtoria është njësia përgjegjëse për përgatitjen dhe vendimmarrjen ministrore. Drejtori i drejtorisë është, për shkak të ligjit, përgjegjës për vendimmarrjen e çdo lloji në fushën e përgjegjësisë së drejtorisë, përveç asaj që i është caktuar shprehimisht sipas legjislacionit, nëpunësve civilë të niveleve më të larta apo vetë ministrit”.
“3/2. Përjashtimisht, ministri apo sekretari i përgjithshëm, mund ushtrojë drejtpërdrejtë një lloj vendimmarrjeje të caktuar”.
“3/3. Fusha e përgjegjësisë së drejtorisë sipas pikës 3/1 të këtij neni dhe çështjet e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë sipas pikës 3/2 të këtij neni përcaktohen në rregulloren e institucionit”.
3/4. Në rast të sektorëve të veçantë që nuk janë pjesë e një drejtorie, pikat 3/1 deri 3/3 të këtij neni zbatohen me ndryshimet përkatëse, për sektorin dhe përkatësisht përgjegjësin e sektorit”.
Neni 15
Sekretari i Përgjithshëm
1. Sekretari i përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil në ministri. Sekretari i përgjithshëm ushtron përgjegjësitë e tij në përputhje me drejtimin e përgjithshëm të politikave nga ministri dhe i raporton e i përgjigjet atij.
2. Sekretari i përgjithshëm është përgjegjës për drejtimin e të gjithë veprimtarisë profesionale të sistemit ministror dhe ushtron çdo përgjegjësi dhe kompetencë drejtimi dhe përfaqësimi të ministrisë me përjashtim të atyre që i janë caktuar shprehimisht me ligj vetëm ministrit. Në veçanti ai ka këto përgjegjësi kryesore:
a) të mbështesë ministrin;
b) të sigurojë zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të politikave;
c) të sigurojë drejtimin, mbikëqyrjen dhe koordinimin e sistemit të ministrisë;
ç) të sigurojë bashkëpunimin me ministritë e tjera dhe institucionet e organet e pavarura;
d) të organizojë sistemin e menaxhimit dhe kontrollit financiar të ministrisë, si dhe të sigurojë administrim efektiv dhe efiçient të burimeve financiare, materiale dhe njerëzore të sistemit ministror, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
dh) të realizojë drejtimin dhe udhëzimin e veprimtarisë të të gjitha strukturave administrative të ministrisë;
e) çdo përgjegjësi tjetër që i caktohet nga legjislacioni.
3. Sekretari i përgjithshëm, në realizimin e përgjegjësive të tij, mbështetet nga strukturat përgjegjëse për funksionet horizontale.
4. Sekretari i përgjithshëm zëvendësohet në rast mungese apo paaftësie afatshkurtër, nga njëri prej drejtorëve të përgjithshëm të ministrisë, i cili caktohet me urdhër të Ministrit”.
Neni 13
Pika 1, e nenit 16 ndryshohet si vijon:
“1. Menaxhimi i burimeve njerëzore, çështjet juridike të natyrës mbështetëse, mirëmbajtja dhe shërbimet e tjera mbështetëse kryhen të gjitha së bashku nga një strukturë administrative, në vijim “shërbimet e brendshme mbështetëse”, që i raporton drejtpërdrejt sekretarit të përgjithshëm”.
Neni 14
Në nenin 17 bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e dytë e pikës 1, shfuqizohet.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 me këtë përmbajtje:
“3. Marrëdhënia e punës e zyrtarit të kabinetit është marrëdhënie besimi me ministrin të cilit i shërben zyrtari. Punëdhënës në këtë marrëdhënie pune është shteti i përfaqësuar nëpërmjet ministrit.
4. Zyrtari i kabinetit përzgjidhet dhe emërohet në detyrë, lirisht, nga ministri. Akti i emërimit nënshkruhet nga ministri dhe drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit përkatës.
5. Zyrtari i kabinetit lirohet nga detyra, lirisht, nga ministri. Lirimi, bëhet me një afat njoftimi jo më pak se 30 ditë, pavarësisht nga sa ka zgjatur marrëdhënia e punësimit.
6. Përveç sa përcaktohet në pikën 5, të këtij neni, zyrtari i kabinetit, lirohet nga detyra, për shkak të ligjit, në këto raste:
a) me lirimin nga detyra të ministrit;
b) dhënien e dorëheqjes;
c) dënimit me vendim të formës të prerë për kryerjen e një vepre penale, apo;
ç) humbjen e aftësisë për të vepruar me vendim të formës së prerë të gjykatës.
7. Konstatimi i lirimit sipas pikës 5 të këtij neni bëhet nga njësia e burimeve njerëzore të institucionit përkatës, menjëherë me verifikimin e shkakut.
8. Pikat 1 deri 7 të këtij neni zbatohen, me ndryshimet përkatëse, edhe për zyrtarin e kabinetit të Kryeministrit.” /Pamfleti