Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nga konferenca e fundvitit me mediat se vitin e ardhshëm sektori i shëndetësisë do të zërë një vend të veçantë në buxhetin e shtetit dhe në planet e qeverisë.
Ai vuri theksin kryesisht tek rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, sikurse edhe kategorizimi i shpërblimeve për ta sipas punës. Rroga do të rritet në nivel kategorie për mjekë dhe infermierë, ku Rama tha se parashikohet një rritje me 135 euro në muaj.
Po kështu ai tha se do të ketë një fond shtesë me 15 mln euro për Onkologjikun dhe sëmundjet kanceroze dhe do vijojë kujdesi për pacientët me këtë sëmundje vrasëse dhe rimbursimi i medikamenteve.
“Parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse dhe rritje e shpërblimit të tyre sipas punës. Në tërësi parashikohet që paga për ta sipas kategorive të rritet 135 euro në muaj. Po kështu njohja e vjetërsisë së punës dhe vlerësimi i saj. Gjithashtu edhe në shërbimin e trajtimit mjekësor dhe medikamente, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi dhënë 15 mln euro më shumë për këtë kategori te Onkologjiku dhe po vijohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit. Po kështu edhe projektet e tjera, si transplante për gjirin dhe për pacientet gra”, tha kryeministri.
Krue i qeverisë njoftoi se nga viti i ardhshëm do punohet edhe për dixhitalizimin dhe transformimin e sistemit shëndetësor, me buxhet, investime, si dhe ndërtime.
“Po kështu edhe në dixhitalizimin dhe transformimin e shërbimit shëndetësor, në autonomi e menaxhim. Në Spitalin memorial ka nisur për herë të parë autonomia financiare, po kështu në 12 spitale po zbatohet autonomia menaxheriale dhe po vijon puna për 4 spitale të tjera. Po ndërtohet godina e re e maternitetit Mbretëresha Geraldinë, spitale në Lezhë, i fëmijëve në QSUT, i Peqinit, shtëpia e të moshuarve në Libohovë dhe janë në proces të tjera”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit njoftoi se nga viti i ardhshëm do zbatohet sistemi i pagesave elektronike në fushën e transportit dhe turizmit.
“Duke nisur nga viti tjetër ata që operojnë në transportin publik e turizëm duhet të operojnë jo në cash, por në forma elektronike për pagesat. Çdo turist e vizitor të paguajë me kartë dhe forma të tjera të pagesës elektronike duke nisur nga viti tjetër”, vijoi Rama.