Kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish sulmet ndaj drejtësisë dhe sot është radha e gjykatësit Klarent Demiri të jetë shënjesëtër e shefit të qeverisë.
Rama akuzon gjykatësin Klarent Demiri se ka marrë një vendim në dëm të shtetit dhe ka penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun” që e ka nxjerrë edhe me foto.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?”, pyet kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij social “Facebook”.
Sipas tij vendimi i Demirit ka rënë ndesh me zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?
Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë, ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Pak javë më parë në një seri sulmesh mbi njerëzit e drejtësisë, kryeministri Edi Rama targetoi edhe gjyqtarin Hazbi Balliu për një vendim për sigurim padie ndaj një pallati të konfiskuar nga KKT, edhe pse padia dhe vendimi u bazuan në aktet e miratuara nga qeveria e tij e që sollën si pasojë legalizimin e shumicës së pallateve pa leje të konfiskuara në Tiranë.
Edhe prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli u sulmua nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale ndaj një ndërtimi të pretenduar pa leje në fshatin Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, për të cilat tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
Kryeministri deklaroi atëherë se inspektoriati dhe policia e shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.
Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se, ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.