Aktualitet

RAMA shkarkon Bicin nga IKMT dhe Tahirin nga “Illyrian Guard”. Ja emrat e rinj

Dallëndyshe Bici është shkarkuar nga posti i drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Vendimi është marrë vetëm 6 muaj pasi Bici mori postin më 31 korrik të këtij viti. Post për të cilin, Bici refuzoi edhe atë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, i lënë bosh nga ndërpreja e parakohshme e mandatit të ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetajt.

Vendin e saj do ta zërë Ajet Zyberi, i cili e ka mbajtur më herët këtë post por dha dorëheqjen nga drejtimi i IKMT në vitin 2022, rreth 1 vit pasi ishte emëruar në krye të strukturës. Vendimet janë marrë ditën e djeshme (19 Dhjetor), në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, takim që u mbaj jashtë rendit. Ndaj pritet që shumë shpejt këto vendime të zyrtarizohen edhe me VKM. Ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë posti që do t’i besohet Bicit tashmë që la kreun e IKMT-së.

Ndryshime ka edhe në “Illyrian Guard”. Postin e të parit të kësaj njësie nuk do ta mbajë më ish-deputeti i Partisë Socialiste, Anduel Xhindi, i cili u emërua në tetor të 2023. Ka raportime se vendi i tij do të pasohet nga Enrik Banushi, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht, pasi edhe në këtë rast pritet vendimi me VKM.