Politikë

Rama “shkundi” qeverinë, gazetari tregon prapaskenat e largimit të Spiropalit

Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, të shpallura nga kryeministri Edi Rama, kanë hapur debat mbi arsyet dhe logjikën e tyre. Analisti Mentor Kikia i cilësoi lëvizjet si të papritura, duke theksuar se qeveria kishte vetëm gjashtë muaj në detyrë.

Sipas tij, kjo periudhë nuk mjafton për të nxjerrë përfundime mbi performancën e ministrave apo mbi zbatimin e projekteve të tyre. Ai vuri në dukje se ndryshimet në qeveri mbeten kompetencë e kryeministrit dhe nuk diskutohen paraprakisht në forume politike.

Kikia argumentoi se pjesa më e madhe e ristrukturimit lidhet me lëvizjen e Belinda Ballukut, e cila mbante njëkohësisht postin e zëvendëskryeministres dhe një portofol ministror. Sipas tij, pas largimit të saj u krijua nevoja për ndarjen e funksioneve, duke zgjedhur një zëvendëskryeministër pa portofol ministror.

Ai e konsideroi emërimin e zonjës Koçiu në postin e zëvendëskryeministres si një zgjedhje që lidhet me besimin e kryeministrit ndaj saj. Koçiu ka mbajtur më parë detyra të larta në administratë dhe drejtoi Ministrinë e Brendshme, ku sipas Kikisë, Rama synoi ta orientojë institucionin drejt çështjeve administrative.

Në krye të Ministrisë së Brendshme u rikthye një ish-zëvendësministër, i cili ka mbuluar më parë çështjet e krimit kundër personit dhe ka pasur një përvojë të shkurtër në Ministrinë e Drejtësisë.

Analisti ndaloi edhe te largimi i ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, të cilin e cilësoi si zhvillimin më të papritur. Ai tha se ajo kishte një raport të afërt politik me kryeministrin dhe se lëvizja mund të lidhet me qëndrime apo deklarata që nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me atë të kreut të qeverisë.

Mentor Kikia: Në fakt lëvizjet ishin të papritura, për duke patur parasysh faktin që qeveria kishte vetëm gjashtë muaj që ishte krijuar, dhe ku të gjithë anëtarët e kabinetit s’kishin kohën e mjaftueshme në dispozicion për të dëshmuar nëse kanë performuar keq apo kanë performuar mirë.

Nëse kanë patur projekte apo platforma për të zbatuar, për t’i gjykuar më pas nëse kanë qenë të suksesshme apo të dështuara.

Pra ka qenë pak kohë për të nxjerrë konkluzione mbi rezultatin e punës së ministrave.

Kështu që askush nuk priste që të kishte lëvizje, por, siç ndodh gjithmonë, ndryshimet në qeveri nuk janë të parashikueshme, për të tjerët përveçse nga kryeministri që ka në dorë t’i bëjë ato, nuk diskutohen në forume politike, kush duhet të iki dhe pse duhet të iki dhe kush duhet të vijë dhe pse duhet të vijë, në raport me atë çfarë përfaqëson në aspektin teknik, politik dhe profesional.

Kështu që, ishte një nga lëvizjet e radhës që Rama i ka bërë në mënyrë sistematike në kabinetin qeveritar.

Vëngu ka një jetëgjatësi më të madhe në, në qeveri, sido që të jetë.

Ndryshimet e tjera besoj që kanë qenë të imponuara në një farë mënyre nga lëvizjet që janë bërë në kuadër të çështjes Balluku, pasi do duhej një njeri që të merrte postin e zëvendëskryeministrit.

Rama ka zgjedhur që ky të mos ishte dikush që mban edhe portofolin e një ministri, siç ishte rasti i zonjës Balluku, apo siç ka qenë më herët rasti i zotit Ahmetaj, por u zgjodh një njeri që të mbajë vetëm portofolin e zëvendëskryeministrit, siç e pati zoti Braçe për një farë kohe të shkurtër.

Zonja Koçiu  është një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Rama, ka qenë një zyrtare e nivelit të lartë në kryeministri, prej kohësh, ka qenë drejtoreshë e Shërbimit të Brendshëm e Departamentit të Administratës Publike.

Më pas ka mbajtur disa portofole dhe ju besua së fundmi Ministria e Brendshme dhe po të mbajmë mend ne, kur mori detyrën, ishte e para grua që e mbante këtë detyrë.

Megjithatë Rama u përpoq që ta bënte më civile detyrën e saj në raport me policinë e shtetit, me luftën kundër krimit e kështu me radhë, duke i thënë që merret policia me këtë punë, Ministria e Brendshme duhet të ta shikojë, të merret me çështjen e adresave, duke u referuar kaosit urban në Shqipëri, mungesës së orientimit e kështu me radhë.

Por pas gjashtë muajsh, i beson postin e zëvendëskryeministrit, i cili  pikërisht duke qenë se është personi që do të firmosë në emër të kryeministrit.
>Zoti Rama e ka pas deleguar me kohë firmën e tij tek zëvendësja dhe shumë vendime, drafte, akte që kanë dalë në Këshillin e Ministrave mbajnë sot firmën e zonjës Balluku, që ka qenë zëvendëskryeministre, dhe tashmë do të mbajnë firmën e zonjës Koçiu.

Dhe rikthehet te Ministria e Brendshme një ish-zëvendësministër i Brendshëm që përgjigjej për çështjen e krimit kundër personit, siç është zoti Lamallari, që pati një eksperiencë modeste në kohë në Ministrinë e Drejtësisë.

Pra, këto janë lëvizje që u diktuan dhe u imponuan nga lëvizja e zonjës Balluku, e cila liroi dy vende njëkohësisht dhe u bë ky trazim.

Po, e papritura ishte pikërisht lëvizja e ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.

Spiropali është një  nxënëse politike e Edi Ramës, është, le të themi, është rritur politikisht nga Rama.

Kishte një marrëdhënie absolutisht shumë të ngushtë me Ramën dhe madje për këtë arsye ajo është bërë apo ka mbajtur edhe një kosto publike për shkak të adhurimit politik që shfaqte publikisht.

E shfaqte publikisht këtë lloj adhurimi politik për Ramën. Ndaj dhe lëvizja e saj ishte, ishte e papritur dhe e paparashikuar.

Gjasat janë që ajo të jetë viktimë e disa deklaratave që kanë dalë nga zyra e Ministrisë së Jashtme dhe që nuk konvergjonin me të njëjtën linjë me atë të kryeministrit.