Kronikë

Rëndohet akuza për “Sterilizimin”, Gjykata kërkon që Beqaj, Rrjepaj e Rrapaj të përgjigjen për vjedhje dhe grup kriminal

Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj vepruan si  grup kriminal me qëllim përvetësimin e fondeve. Kështu deklaroi gjyqtarja e hetimit paraprak Flojera Davidhi gjatë seancës me dyer të mbyllura në të cilën deklaroi akuza të reja për ish-ministrin e  shëndetësisë që zyrtarisht akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe grup kriminal.

Kur dëgjoi rëndimin e pozitës ish ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, siç kishin vepruar më herët edhe tetë të tjerët e dosjes së sterilizimit. Ndërkohë si anëtarë të këtij grupi kriminal dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën ju kërkua SPAK që tua adresojë edhe ish zëvendës ministrit të shëndetësisë dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili kur dëgjoi akuzat e reja humbi ndjenjat në gjykatë.

Duke certifikuar lënien në fuqi vetëm për gjashtë të akuzuarit e tjerë që janë anëtarë të komisionit të vlerësimit  në koncensionarin e sterilizimit, gjyqtarja u shpreh  sipas burimeve se ish ministri i shëndetësisë në bashkëpunim me vartësin dhe biznesmenin vepruan me paramendim në një procedurë të shtrirë në kohë dhe të finalizuar me kontratën koncensionare të datës 10 dhjetor 2015, për të cilën siç theksoi gjyqtarja Davidhi nuk gjendej një kopje e vetme origjinale.

Ilir Beqaj akuzohej më herët për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Në këtë gjykim paraprak që ka zgjatur prej marsit 2024 gjyqtarja kërkoi hetime edhe ndaj dhjetë zyrtarëve të tjerë, duke deklaruar më tej vendimin e dosjes së sterilizimit, për të cilën aprovoi kalimin në gjykim për nëntë të akuzuarit e parë.

Midis këtyre zyrtarëve që u kërkuan hetime për shpërdorim detyre u përmenden emrat e anëtarëve të komisionit të prokurimit publik Gentian Pere,  Spiro Guro Leonard Reci dhe Hector Balluku por edhe të shtetasve të tjerë si Vladimir Mediu, Artur Lama.

Gjyqtarja e hetimit paraprak kërkoi të hetohej edhe në adresë të ministrisë së financave dhe të shtetasit Italian Umberto Stacini për të cilët SPAK kujtoi se ndërkohë e ka veçuar hetimin prej kohësh. Pasi SPAK ka shtuar se është dakord me cilësimin e akuzave të reja , të cilat u kundërshtuan nga Beqaj me pyetjen se sa ishin paratë që ai kishte vjedhur, Gjykata caktoi datën nëntë janar 2025 për të dëgjuar qëndrimin e avokatëve mbi akuzat e reja. Çka do të thotë se dosja ende nuk ka kaluar në gjykim themeli.