Kulturë

Rikard Ljarja, aktori dhe regjisori që i mungon kaq shumë sot skenës shqiptare dhe arsyeja pse ky filmi i tij nuk u shfaq kurrë

Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e filma te tjerë, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha” etj janë disa prej roleve të tjera të interpretuara prej tij.

Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Rikard Ljarja lindi në 1 prill të 1943 në Shkodër, ndërsa njihet nga shqiptarët për rolet e tij në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër, ndërsa në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë.

Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Dashnor Kaloçi, mik i ngushtë i tij, për ta uruar, ka gjetur dhe publikonte ekskluzivisht për gazetën TemA një foto të rrallë, e cila i përket vitit 1980, ku Ljarja ka dalë në shesh-xhirimin e filmit “Skëterrë ‘43”.

Film që u ndalua vetëm një vit më pas, për arsye se skenarist ishte Bashkim Shehu, djali i tretë i ish-kryeministrit komunist të kohës, Mehmet Shehu, i cili pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, (ku i jati mbeti i vrarë në rrethana misterioze), përfundoi familjarisht në burgjet e regjimit komunist.

Sipas Kaloçit, e veçanta e kësaj foto është edhe paraqitja e jashtme e Bashkim Shehut, djalit të tretë të ish-kryemnistrit shqiptar të kohës, që shfaqet aty me flokë të gjata dhe me mustaqe, duke qenë kështu një foto unike e tij e para viteve ’90-të, që bëhet publike për herë të parë.