Agim Ibraimi beson se Tirana do të tregojë “kthetrat” dhe do të ringrejë kokën. Në një moment të vështirë, me vendin e nëntë dhe 18 pikë, bardheblutë kthyen Bledi Shkëmbin në pankinë, me qëllimin ringjalljen e ekipit.
Drejtori i bardhebluve pranoi në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, se e shqetëson shumë renditja, ndërsa vlerësoi Maganin. Ai theksoi se me këtë rikthim, Shkëmbi tregoi karakter.
Ibraimi, si e ke parë skuadrën dhe një opinion për ndryshimin që ndodhi?
Nëse e mbani mend, që në prezantimin e parë unë e kam ditur dhe e kam thënë para opinionit publik, se do të kemi probleme. Kjo pa marrë parasysh situatën, që te Tirana përqendrimi duhet të jetë lart e më lart.
Po nga ana tjetër, kur bën revolucion dhe në stërvitjen e parë ka vetëm tre lojtarë, kjo tregon se duhet punë, punë dhe vetëm punë. Për këtë arsye, gjërat i kemi marrë me durim. Një nga një, dhe derisa kemi oferta për lojtarët e rinj që kemi sjellë në ekip, përzgjedhja ka qenë deri diku mirë. Për ta konsoliduar ekipin, kudo në botë duhet kohë. Lojtarët që vinë, duhet të përshtaten me ata lojtarë që janë në skuadër.
Po ku ishte apo është problemi në këtë mes?
Është fakt, që lojtarët e mëparshëm janë larguar të gjithë. Situata është shumë ndryshe, ku duhet durim dhe vetëm durim. Situatën që është, e lidha edhe me fjalët e prezantimit, por meqë më pyete për ndryshimin që bëmë në ekip dhe sesi e ke parë skuadrën, po bëj një rezyme të pjesëve të para. Skuadra ka qenë gjithmonë dominuese dhe në avantazh me rezultate. Të mos harrojmë që 4-5 takime kemi marrë gol minutat e fundit. Dhe këtu e kam për sfidën me Bylisin, Laçin dhe të tjera. Të mos harrojmë situatat e tjera.
Ne, 24 orë para ndeshjes nuk e dinim ku do të luanim. Me tesha ndër duar prisnim në kompleks për t’u vendosur nëse do të luanim në Lushnjë, Korçë apo Vlorë. Unë personalisht shoh si problem shpërbërjen e menjëhershme të skuadrës. Kjo është detyrë e atyre që janë në fushë dhe që drejtojnë skuadrën për ta ringritur ekipin dhe për ta bërë më të fort në fushë dhe të mos dalim ne që të bëjmë policin nga jashtë, sepse nuk duket as bukur.
Për mua, ky është problemi i Tiranës dhe ata që e drejtojnë skuadrën dhe lojtarët të riparojnë shpërbërjen në pjesën e dytë. Të mos harrojmë se sipas platformave që bëjnë analizën, kemi qenë dominues në pjesët e para. Kemi mbajtur shumë topin, kemi krijuar aksionet, por në fund nuk na jep të drejtë klasifikimi, por edhe loja deri diku, që të kemi gojë e të flasim.
Një vlerësim për Gugash Maganin?
Magani ishte një zotëri i vërtetë. E respektoj shumë. Ai dha kontributin e vet për ekipin, por edhe vet e pa që skuadra çalonte në momente të caktuara. Skuadra në kohën e tij, pati shumë lëndime, momente mos përqendrimi. Edhe fati i mungoi. Unë personalisht kam respekt maksimal për profesor Maganin dhe ndihmësin e tij, Klodin. Futbolli kështu e ka.
Rikthimi i Bledi Shkëmbit në krye të skuadrës, mendoj se mund të vlejë?
Rikthimi i Shkëmbit duhet të analizohet në anën pozitive. Ai është njeriu, që së bashku me mua e ndërtuam ekipin. Ai e njeh çdo lojtar në bërthamë. Ai e njeh situatën në grup dhe në klub. Dhe meqenëse pranoi të rikthehej në këtë situatë të vështirë, ai tregoi karakterin e tij si trajner dhe futbollist. Jo më kot ka dalë 8 herë kampion. E përsëris është rikthim karakteri.
Kur u largua, momenti ishte emocionues. Atij i ngeli peng, se skuadra do të ndryshonte dhe nuk e pati kohën e duhur. Njeh personalitetin e skuadrës. Unë besoj shumë tek ekipi. U kam thënë edhe djemve që nuk e harroj kurrë dhe do t’ua kujtoj gjithmonë. Shoh problemin se unë kam më shumë besim te ata sesa ata kanë besim te vetja. Ata duhet të rikthejnë besimin te vetja dhe të marrin situatën në dorë. Nuk është më me të thënë, por me të vepruar dhe bërë më të mirën. Ata duhet të tregojnë sesa vlejnë. Ne stafi jemi jashtë fushe dhe besojmë më shumë tek ata, sepse kanë bërë ndeshje shumë të mira.
Ju flisni me optimizëm, por tifozët janë të alarmuar për vendin e nëntë. Ju jeni i shqetësuar nga kjo situatë?
Renditja është shqetësuese dhe nuk ka vend për diskutim. Ama me skuadrën që kemi, unë nuk shoh probleme. Kam shumë besim se do të ringrihemi. Do të ngjitemi në renditje. Nëse unë do të kisha dyshime apo nuk do të besoja, tani do të isha në shtëpi dhe jo të drejtoja Tiranën.
Afrime keni bërë, madje cilësore. Pas Ernest, Rafael, Smaçit dhe Verës, do të ketë të tjerë?
Çdo afrim që bëjmë është për të përforcuar ekipin. Ama duhet të kemi kujdes, sepse duhet të konsolidojmë futbollistët që kemi. Nëse ne mbajmë këtë skuadër të konsoliduar edhe vitin e ardhshëm dhe përforcime që do të bëjmë në të ardhmen, vendet e para nuk diskutohen. Ne si shqiptarë nuk kemi durim, ky është problemi edhe në futboll.
Do të luani me Bylisin. Një ndeshje që ju barazoi në shtesë. Më pas fituat 4-0 dhe një disfatë në kupë. Çdo të ndodhë në këtë sfidë?
Bylisi ka një ekip të respektuar, me lojtarë shumë interesantë. Unë mendoj se fokusi është tek ekipi ynë për të ringritur moralin e skuadrës. Lojtarët vet, duhet ta marrin përsipër këtë situatë për të treguar se ata janë te Tirana dhe duhet të dominojnë ndeshjet. Bylisi në Ballsh ka qenë gjithmonë i vështirë për t’u mundur, por ne jemi Tirana dhe nuk na intereson, ndonëse ndaj nesh kundërshtarët luajmë shumë më fort.