Me aktoren e madhe, Margarita Xhepa më lidh një miqësi e vjetër. Respekti im për këtë zonjë me shpirt të madh e të bukur, që ka lënë gjurmë kaq të thella në artin shqiptar, është i pafund.
Jeta e Margaritës është aq e mbushur me histori dhe eksperiencë, sa që sa herë piqemi tok, në kuadër të ndonjë aktiviteti, ku ajo nuk nguron të marrë pjesë, pavarësisht “kleçkave” që shëndeti i saj kalon ndonjëherë, bisedojmë e unë gjej gjithmonë diçka të parrëfyer.
Kjo intervistë (që u zhvillua kohë më parë) është një bisedë në takimin tonë më të fundit. Teksa udhëtonim drejt Vlorës, ku Margarita Xhepa merrte pjesë në vlerësimin e një kompeticioni mes nxënësve të qytetit.
Intervistoi Albert Zholi
– Keni marrë pjesë në shumë promovime të librave të autorëve në emigracion, pse?
Kjo është e vërtetë. Kam marrë pjesë në shumë promovime të tilla pasi e ndjej se poezitë kanë mall brenda. Ato kanë dashuri për atdheun, për vendlindjen, për të afërmit, për njerëzit që kanë larg, për gjuhën shqipe, për shoqërinë për nënën dhe babanë, për çdo gjë që ka lidhje me atdheun. Pra, poetët e mërgimit kanë letërsinë e tyre, kanë poezinë e tyre që flet ndryshe, që flet plot dhembshuri dhe dashuri dhe patjetër që duhet t’i mbështesësh.
Ata vijnë në Shqipëri me mall dhe duan përkrahje dhe përkrahja duhet të vijë nga ne artistët pasi si poeti si aktori janë artistë të dy gjinive të ndryshme. Ne na lidh arti, na lidh dashuria për artin dhe na lidh krijimtaria.
– Kush është e veçanta e krijimtarisë së krijuesve në mërgim?
Malli për nënë dhe atdhe. Poezia e mallit ka një veçori specifike për ata. Askush se sa emigrantët nuk mund t’i këndojë bukur këtij malli. Letërsia e tyre në këtë drejtim është shumë objektive. Ajo është shumë e lëmuar, shumë e detajuar dhe me plot figuracion. Një letërsi ndryshe, do të thosha, që duhet ta përkrahim të gjithë madje dhe ta propagandojmë.
– Interpretoni gjithmonë poezi, kjo ka filluar tani apo që në vegjëli?
Jo, kam recituar që e vogël. Isha fëmijë kur kam recituar në shkollën fillore dhe mësuesit e mi e spikatën talentin tim në këtë drejtim, ata e panë këtë talent dhe më aktivizonin vazhdimisht.
– Kur kujtoni fëmijërinë tuaj, si ndiheni?
Fëmijëria ime ishte e vështirë por e bukur. E vështirë pasi që ishim një familje e varfër dhe një familje tradicionale. Ishin vitet para çlirimit dhe varfëria ishte në çdo familje.
Nuk ngopnim barkun me bukë por kishim një dëshirë të madhe për dije, për arsim. Prindërit nuk na pengonin në rrugën tonë dhe pse nuk kishin mundësi financiare të na plotësonin dëshirat, por ne kishim një harmoni të madhe në familje që nuk e ndienim shumë varfërinë.
Kishim një dashuri për njëri-tjetrin që ndanim dhe kafshatën e gojës. Nuk i mendonim kërkesat e fëmijëve të sotëm, nuk kishim kërkesa por kishim etje për dituri, ky ishte ndryshimi.
– E kishte menduar ndonjëherë Margarita se do bëhej aktore?
Mund të them se kisha dëshirë por dhe strukesha brenda dëshirës. Ishin vitet e para pas çlirimit dhe emancipimi nuk ishte si sot. Në atë kohë ishte e vështirë që femra të largohej nga familja apo të realizonte dëshira jashtë dëshirave familjare, por ishte mirësia e prindërve të mi që nuk më penguan. Kur unë bëra kërkesën time ata e përkrahën. U jam mirënjohëse gjithë jetën. Në atë kohë rrallë ndodhte që prindërit të përkrahnin çdo dëshirë të fëmijëve.
– Ju keni një jetë në skenë por a keni ende pengje?
Aktori ka dhe do të ketë gjithmonë pengje. Jeta e aktorit në vetvete është një peng ndaj kulmit të artit. Me qenë e sinqertë kur isha e re, regjisori Mihal Luarasi ka pasur gjithmonë dëshirë të ngjiste në skenë “Elektrën” e Sofokliut.
Kur e dëgjova për herë të parë që mund të realizohej në atë kohë trupi m’u drithërua. Sa dëshirë kisha ta realizoja. Sa dëshirë kisha të isha në atë kohë një Elektra shqiptare. Me thënë të drejtën e shikoja në ëndërr por kurrë nuk u realizua në atë kohë pasi në radhë të parë nuk ishin pjekur kushtet teknike.
Ishte një realizim i vështirë për kohën. Mungonin shumë gjëra, ndaj ngeli ëndërr për mua dhe për regjisorin e madh Mihal Luarasi që sot nuk jeton. Këto fjalë le të jenë një homazh për të, për atë regjisor plot talent dhe plot mirësi. Por vitet rrodhën dhe koha bëri të vetën, si duket vjen një ditë që edhe ëndrrat realizohen. Kështu para 8 vjetësh në moshën time të pjekurisë arrita të interpretoj mbretëreshën e Trojës, Eklubën. Këtë rol ma besoi regjisori grek, i talentuar grek Vangjelis Theodhopulos, dhe e interpretova për herë të parë në teatrin “Melina Merkuri” në Athinë. Ky teatër është ndër më të mirët në Athinë.
Ai rol më la pa gjumë, më hapi telashe, më hapi probleme për ta arrirë. Punova shumë. Por edhe u shpërbleva pasi për atë rol kam pasur shumë vlerësime nga kritika, regjisorë e aktorë grekë dhe kam marrë tri çmime. Por, pengje ka njeriu, por unë besoj se do t’i realizoj.
– Si do ta cilësonit artin shqiptar në regjimin komunist?
Dua të jem realiste, ai sistem ishte me shumë të meta, por artin e përkrahu. E keqja ishte se kishte shumë ideologjizma brenda, por sërishmi u bë art.
Në atë sistem dolën shumë korifej të artit skenik dhe në kinematografi. Dolën shumë sa mund të them se ishte koha e të mëdhenjve. Për atë sistem jo çdo gjë duhet hedhur poshtë. Punonim shumë, ishim shumë idealistë, kërkonim shumë ndaj njëri-tjetrit dhe kishim një dashuri të madhe për punën. Punonim për të bërë art, për të lënë gjurmë, ana materiale në atë kohë ishte e papërfillshme. Ngelëm të varfër por bëmë art që ka lënë gjurmë.