Në të gjithë vendin fundjava do të jetë kryesisht me mot të qëndrueshëm me diell, por në zona të caktuara mund të ketë edhe kalime vranësirash sipas sinoptikanëve.
“Në fundjavë, e shtuna dhe e diela do kenë kushte të qendrueshme atmosferike, me kthjellime, vranësira të lehta e kalimtare në bregdet, në zonat e ulëta, vranësira më të shpeshta në zonat malore. Do jetë zona e juglindjes e cila do ketë më të shpeshta vranësira, duke sjellë momente të pakta me flokë dëbore përgjatë të shtunës. Megjithatë, le të themi se do të jetë një fundjavë mjaft e qëndrueshme”, u shpreh Lajda Porja, sinoptikane.
Edhe temperaturat do të jenë në vlera deri në 22 gradë, kryesisht gjatë ditës.
“Parashikohet në fakt që maksimumet të ngjiten në 22 gradë. Janë temperatura rreth 6 apo 7 gradë më të larta seç duhet të regjistrohen. Presim që temperaturat të jenë më të larta në qarkun e Elbasanit dhe në qarkun e Beratit. Megjithatë me temperatura mjaft të larta shumë qytete të Ultësirës Perëndimore”, shtoi sinoptikanja.
E njëjta tablo sinoptike pritet të jetë edhe në ditët e para të javës së ardhshme.