Rreshje shiu dhe shtrëngata, IGJEO paralajmëron rrezik për përmbytje në 5 qarqe
Intensiteti i reshjeve pritet të rritet në orët në vijim, me kulm gjatë së premtes. Shiu do të përqendrohen kryesisht në zonat veriore dhe jugore.
Instituti i Gjeoshkencave ka shpallur alarm portokalli për qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas parashikimeve, gjatë 24 orëve të ardhshme sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 90 milimetra.
Autoritetet parashikojnë që intensiteti i lartë i shiut dhe shtrëngatat të krijojnë probleme lokale. Reshjet mund të shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe vërshime uji në zona urbane, në varësi të kapacitetit të sistemeve të kanalizimeve.
Qarqet e tjera do të përfshihen nga reshje me intensitet mesatar.
Situata paraqitet më e ndjeshme në qarkun e Shkodrës. Reshjet në basenet e lumenjve Drin dhe Buna pritet të rrisin prurjet dhe të shtojnë rrezikun e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.
Rritje prurjesh priten edhe në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, me mundësi për përmbytje të kufizuara lokale.
Në veri, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të bien në formë dëbore.
Temperaturat do të shënojnë rritje të lehtë. Vlerat minimale do të zbresin në 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 15 gradë.