Nga Mentor Kikia
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet shumëkush menjëherë, tani: Ka 300! Sepse e ka lexuar e dëgjuar më shumë se 300 herë në media e konferenca shtypi të opozitës.
Sot dëgjova një raportim të gazetares Klodiana Lala mbi fillimin e një hetimi pasuror, apo shtrirjen e hetimeve edhe mbi pasurinë, për ministren e pezulluar Belinda Balluku.
“Burime pranë SPAK bënë me dije se është kërkuar informacion pranë institucioneve të ndryshme, si Kadastër, ILDKPI apo banka të nivelit të dytë…” – tha gazetarja.
Ndërsa lexova këtë fakt të ri nga hetimet, m’u kujtua se ne e dinim me kohë se “Belinda Balluku ka 300 apartamente”.
Askush, nga ata që e publikuan apo bënë analiza duke iu referuar kësaj shifre, nuk referoi ndonjë burim. Opozita citonte median dhe media citonte opozitën.
Pasuritë e patundshme gjenden vetëm në regjistrat e Kadastrës, të cilës prokuroria i qenka drejtuar vetëm tani (duke e marrë të mirëqenë këtë lajm). Dhe pas verifikimit mund të dalë se Balluku nuk ka 300 apartamente, por 1.300.
Por mund të dalë edhe se ajo ka 30, apo 3 apartamente. Nëse del kjo e dyta, pra nuk do të jenë 300, ç’do bëjmë ne? Do akuzojmë Kadastrën se ka fshehur apartamentet e Ballukut, “sepse ne e dinim me kohë që ajo ka 300”?
Mos nxitoni të më akuzoni se po i qaj hallin zonjës Balluku!
Jo, jo. Këtu po i qaj hallin medias dhe gazetarisë, të cilës i kam kushtuar jetën prej vitit 1992. Të shkruash e të flasësh për 300 apartamente sikur të jenë 300 domate e speca si ato të Divjakës, është “kurajoze” nga ana profesionale.
Dhe tani rezulton se për këtë lajm nuk ka pasur as “burime konfidenciale nga prokuroria”, pasi as prokuroria vetë nuk e ditka, derisa tani i ka kërkuar informacion Kadastrës.
Të tilla lajme mund ta dëmtojnë 10 herë Ballukun, por dëmtojnë 100 herë seriozitetin dhe besueshmërinë e medias.