Aktivistja Evi Kokalari duket se ka ndërmend të sfidojë Sali Berishën në garën për kreun e PD. Sot Kryesia e PD vendosi që më 23 maj të mbahen zgjedhjet për kryetarin, ku Sali Berisha me shumë gjasë do të rikonfirmohet për një tjetër mandat.
Por duket se personi i parë që ka shfaqur ambicie është Evi Kokalari, e cila dikur ishte krah Berishës dhe tani i ka dalë kundër.
“Sali Berisha, të lutem shto emrin tim për kandidaturë kundrejt teje në zgjedhjet e 23 Majit.
Si kujtesë, emri im figuron në gjykatë si një nga themelueset e rithemelimit, që u bë shkas për marrjen e PD-së nga Lulzim Basha.
Në fakt, duhet theksuar se jam bashkëthemeluese e Rithemelimit me ty.
Çdo manipulim vote, të premtoj që do të reflektohet dhe dokumentohet në Departamentin e Shtetit Amerikan”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që zgjedhja e kryetarit të kësaj partie të mbahet më 23 maj. Në këtë datë do të jenë anëtarët, që sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të votojnë në qendrat e votimit që do të ngrihen në degët e kësaj partie. Deri në 23 maj do të ketë një rifreskim të listave të anëtarëve, sikundër do të përcaktohen edhe modalitetet se si do të kryhet votimi.
Referuar zgjedhjeve të 4 viteve më parë, anëtarët u thirrën në formën e një referendumi, duke u shprehur nëse janë ose jo dakord me vendimin e Këshillit të jashtëzakonshëm Kombëtar, që u mblodh në atë kohë, dhe që miratoi rikthimin e Sali Berishës në krye të PD, duke zëvendësuar Lulzim Bashën.