Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në themel çështjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i dënuar për kallëzim të rremë në çështjen e njohur si “Babalja”. Ankesa e Salianjit synon të shfuqizojë të gjitha vendimet gjyqësore që çuan në dënimin dhe përjashtimin e tij nga jeta politike.
Në vendimin e shpallur, Gjykata Kushtetuese ka pranuar që çështja të shqyrtohet mbi bazën e dokumenteve dhe pa seancë dëgjimore publike në këtë fazë. Objekt i shqyrtimit janë: vendimi nr. 2900 i Gjykatës së Tiranës (2019), vendimi i Apelit nr. 2059/30-2024-6822 (2024) dhe vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 00-2025-421 (2025), të cilët Salianji kërkon t’i shpallë antikushtetues.
Ish-deputeti demokrat u dënua me 1 vit burg dhe kreu rreth 9 muaj të dënimit përpara se të lirohej më 8 korrik 2024. Si pasojë e dënimit penal, ai humbi mandatin parlamentar dhe u përjashtua nga funksionet publike për një periudhë pesëvjeçare, sipas ligjit të dekriminalizimit. Praktikisht, Salianji nuk mund të kandidojë ose zgjidhet deri në vitin 2030.
Lëvizja e tij drejt Gjykatës Kushtetuese shihet si përpjekje për të rehabilituar figurën politike dhe për të hapur rrugën e rikthimit në skenën parlamentare.