Sport

“San Siro” zyrtarisht në pronësi të Milanit dhe Interit, reagon Skaroni: Gjërat e bukura kërkojnë gjithmonë kohë

Sot është një ditë historike për qytetin e Milanos dhe për futbollin italian. Pas muajsh negociatash, Interi dhe Milani kanë firmosur aktin e blerjes së stadiumit “San Siro” dhe zonave përreth.

Çmimi i shitjes është përcaktuar në 197 milionë euro, që do të paguhen në disa këste. Klubi i Interit dhe ai i Milanit kanë garantuar siguritë bankare për pagesën e parë, rreth 100 milionë euro, duke përfshirë edhe TVSH-në dhe detyrime të vjetra.

Projekti i përbashkët i dy klubeve parashikon ngritjen e një stadiumi modern me 71.500 vende, në anën perëndimore të zonës aktuale. Struktura e vjetër e Meacas do të ruhet pjesërisht dhe do të shndërrohet në hapësirë muzeale e komerciale. Punimet pritet të nisin në vitin 2027 dhe përfundimi i plotë i impiantit është planifikuar për vitin 2031.

Pas nënshkrimit, presidenti i Milanit, Paolo Skaroni, u ndal shkurt përpara gazetarëve, duke komentuar: “Gjërat e bukura kërkojnë gjithmonë kohë”.

Skaroni ka qenë një nga nxitësit kryesorë të këtij projekti që në fillim, ndaj konsiderohet si një nga fituesit e çështjes. Nga ana e Interit, procesin e ka ndjekur fillimisht Alesandro Antonelo, më pas Masimiliano Kataneze dhe përfaqësues të fondit “Oaktree”, ndër ta Katerin Ralf. Deklarata të tjera priten në vazhdimësi për këtë sipërmarrje të përbashkët mes dy klubeve milaneze.