LifeStyle

Selin ‘plas bombën’: Marina Vjollca më ftoi në emision dhe më kërkoi të gënjeja

Banorja e “Big Brother VIP 5”, Selin Bollati, ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen gjatë prime-t të së shtunës, ku përmendi emrin e moderatores Marina Vjollca.

Gjatë një momenti publiciteti, teksa bisedonte me DJ Gimbo dhe po sistemontedhuratat e ardhura nga sponsorët e programit, mes tyre edhe një dhuratë nga brendi i Marina Vjollcës, Selin deklaroi se në të shkuarën ishte ftuar në një emision televiziv dhe se i ishte kërkuar të bënte një deklaratë të pavërtetë për të krijuar jehonë mediatike.

“Ka qenë prezantuese këtu te Topi, tani ka bërë këtë brand-in. Më ka ftuar njëherë në emision, për një panel sportiv dhe më ka thënë: ‘Do dalësh dhe do thuash që më ka ngacmuar një futbollist i Spanjës. Se bëhet virale’”, u shpreh Selin gjatë bisedës.

Ajo shtoi se e kishte refuzuar këtë kërkesë. “Unë i kam thënë ‘jo’”, tha banorja, ndërsa pjesa e mëtejshme e fjalisë nuk u dëgjua qartë për shkak të zërit të ulët dhe mikrofonit.

Selin Bollati nuk e saktësoi kohën kur, sipas saj, ka ndodhur kjo ngjarje, duke lënë të hapura disa mundësi interpretimi. Marina Vjollca ka moderuar emisionin “Procesi Sportiv” në TCH deri në vitin 2017, periudhë gjatë së cilës Selin do të kishte qenë ende e mitur, fakt që ngre pikëpyetje mbi rrethanat e pretendimit.

Nga ana tjetër, Vjollca ka moderuar edhe emisionin “Kampionët” në TV Klan gjatë Euro 2024, çka hap mundësinë që deklarata e Selinit t’i referohet një periudhe më të vonshme.

Selin Bollati ka qenë më herët e angazhuar në TV Klan si balerinë në “E diela shqiptare” dhe si prezantuese e “Kënga Magjike 2024”, duke pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me këtë televizion.

Pa një sqarim të qartë për kohën dhe rrethanat konkrete të ngjarjes, deklarata mbetet e paqartë dhe e hapur për interpretime të ndryshme. Deri në këto momente, nuk ka pasur asnjë reagim publik nga Marina Vjollca lidhur me pretendimet e Selin Bollatit.