Kronikë

Sëmundja e rëndë i merr jetën fotografit Alqi Golloshi

Sot u përcoll për në banesën e fundit një njeri i mirë, qe aq shumë e deshi punën e tij. E kemi fjalën për fotografin e dritës së fortë dhe kontrasteve ekstreme, Alqi Golloshin.

Familjarë, miq, kolegë e shumë njerëz që ishin rrugëtarë në këtë jetë me Alqin, e përcollën për në banesën e fundit mes lotëve dhe dhimbjes.

Alqi Golloshi u nda nga jeta të shtunën. Fotografi mbylli sytë përgjithmonë shumë shpejt, në moshën 65-vjeçare nga një sëmundje e tmerrshme, duke zhytur në dhimbje të thellë kështu të gjithë ata që e deshën aq shumë.

Alqi Golloshi me një pasion të madh për fotografinë, filloi të eksperimentonte që në moshë të re me aparatin e tij dhe dhomën e errët ku solli një frymë tjetër në fotografinë shqiptare.

Pas viteve 90 , në vitin 1993 Alqi hap studion e tij foto Algo , ku aty zbërtheu dhe dha maksimalisht dijen e trashëguar nga babai i tij, Ilo Golloshi, të cilën e përsosi aq shumë.

Ai krijoi i pari artin e fotografisë konceptualetë kontrasteve të forta dhe nga viti 1986 e më pas është autor i disa ekspozitave ku secila ishte një risi më vete.