Pep Guardiola ka kaluar një sezon shumë të dështuar me Mançester Sitin, në një vit ku skuadra e tij nuk ishte kurrë në garë për titullin në Premier Ligë, rrezikon ende të mos kualifikohet në Ligën e Kampioneve dhe doli shumë shpejt nga loja në turneun ndërkombëtar në fjalë.
Por në jetën private, duket se ka dritë në fund të tunelit për trajnerin katalanas. Mediat kishin bërë të ditur në janar se ai dhe gruaja e tij, Kristina Serra, ishin pranë divorcit, pas më shumë se 30 vitesh lidhje dhe 11 vitesh martesë. Shkak ishte bërë fakti se Guardiola zgjati kontratën me Sitin, duke vazhduar të jetonte në Angli, larg familjes së tij në Spanjë.
Por sipas medias katalanase “El Nacional”, çifti është ribashkuar. Një paparaci e njohur në Spanjë, Maria Lapiedra, ka treguar se Pep ka vizituar Kristinën dhe vajzën Valentina, më të voglën nga fëmijët e tij, në shtëpinë e tyre në Barcelonë gjatë periudhës së Pashkëve dhe ka kaluar disa net aty.
“Pep Guardiola dhe Kristina Serra po mbajnë ende unazat e martesës. Ata po mundohen që të bashkohen përsëri. Ai erdhi në shtëpinë e saj për tre ditë gjatë Pashkëve dhe fjeti aty. Ai po mundohet që të krijojë kushtet që të qëndrojë në Mançester, por t’i vizitojë një herë në javë në Barcelonë, duke udhëtuar me avion privat vetëm për të qenë në mënyrë të vazhdueshme pranë familjes”, tha ajo, duke zbuluar këtë risi për Guardiolën.