Sport

Sfida ndaj Realit në Champions, Trajneri i Kairat Almaty: Një ndeshje historike për gjithë Kazakistanin

Atmosferë e veçantë në Kazakistan në prag të një sfide të paharrueshme. Kairat Almaty do të presë Real Madridin në një duel të madh të fazës së grupeve të Champions League, një përballje që konsiderohet historike jo vetëm për klubin, por për gjithë futbollin kazak.

Trajneri i skuadrës, Rafael Urazbakhtin, u shpreh në konferencë për shtypin:

“Real Madridi është shumë i shpejtë dhe mund të dalë në kundërsulm në çdo moment.

Për ne do të jetë thelbësore të mbajmë nën kontroll sulmuesit e tyre.

Mbrojtësit tanë do të duhet të punojnë shumë, por jam i sigurt se do të japin maksimumin dhe do të përpiqen të luajnë me inteligjencë. Kjo ndeshje është historike jo vetëm për Kairatin, por për gjithë Kazakistanin.

Duke qenë se luajmë në shtëpi, kemi më shumë mundësi dhe duhet të besojmë tek vetja.

Përballja me një klub të këtij niveli është një provë e rëndësishme dhe një eksperiencë e madhe për ne.”

Optimist, por edhe realist, u shfaq sulmuesi Dastan Satpayev:

“Përpiqemi të përballemi me çdo kundërshtar duke dyfishuar mbulimin, duke rikuperuar shpejt topin ose duke u përballur një për një pa frikë.

Kjo është një përvojë e re për ne dhe do të përpiqemi të rezistojmë sa më gjatë.

Sigurisht e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, përballë një kundërshtari të pakëndshëm që ka fituar shumë herë Champions League. Megjithatë, duam të fitojmë.

Nëse japim gjithçka për tifozët tanë, besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv.”