Aktualitet

SHBA nxjerr jashtë loje Ilir Prodën, FBI trajnon SPAK e BKH pa kryepolicin nën hetim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara publikoi një video nga përfundimi i programit të trajnimit të drejtuar nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Akademisë së Sigurisë dhe përfshiu një fjalë të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn.

Pamjet e shpërndara tregojnë drejtuesit e strukturave që mbajnë sot peshën e hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në sallë u shfaqën kreu i SPAK, Klodian Braho, drejtuesi i BKH, Joni Keta dhe përfaqësues të tjerë të përfshirë drejtpërdrejt në hetime. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mungonte plotësisht, si fizikisht ashtu edhe në materialin zyrtar të publikuar nga Ambasada Amerikane.

Asnjë institucion nuk dha shpjegim publik për këtë mungesë. Përjashtimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit nga një aktivitet me mbështetje amerikane dhe me fokus luftën kundër krimit të organizuar përbën sinjal të qartë institucional dhe politik.

Ilir Proda ndodhet nën hetim nga SPAK. Prokuroria i ka sekuestruar telefonin për rrjedhje të sekretit hetimor dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit si mjet mbrojtjeje për interesa kriminale gjatë periudhës kur drejtonte Policinë e Elbasanit. Hetimi trajton dekonspirimin e aksioneve, shpërndarjen e informacionit operativ dhe sabotimin e veprimeve ligjzbatuese.

Nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit ka mbajtur në detyrë drejtues të proceduar penalisht për lidhje me grupe kriminale dhe për rrjedhje të të dhënave sensitive nga sistemet policore dhe nga agjencitë partnere. Mosveprimi i qëllimshëm ka garantuar vijimin e aksesit në sekretet policore dhe ka mbrojtur persona nën hetim penal.

Sipas burimeve të sigurta, Ilir Prodës i është sekuestruar telefoni dhe shfaqet në disa dosje që ndodhen aktualisht në duart e prokurorëve të SPAK. Në këtë kontekst, distancimi i Ambasadës së SHBA-së nga Drejtori i Policisë së Shtetit nuk përbën rastësi. Përfaqësia amerikane ka zgjedhur të qëndrojë hapur në krah të SPAK dhe BKH, duke anashkaluar një drejtues policie që ka kthyer institucionin në mekanizëm shërbimi për interesa kriminale… /Pamfleti