Aktualitet

Sherr në Komisionin Hetimor për Ilir Beqajn/ “Mos guxo të më flasësh mua”, Vokshi: Garda të mos lejojë njeri të futet në sallë

Tensione dhe debate të shumta në komisionin hetimor për koncensionet në shëndetësi ku demokratët dhe socialistët po përballen mes tyre lidhur me dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Socialistët kërkojnë që Beqaj të dëshmojë në Komision sipas kushteve të tij, duke iu referuar në këtë mënyrë kërkesave për të përdorur një power-point, ose disa fotografi që janë pamjet e spitaleve para 2013-ës.

“Thërrisni zotin Beqaj të vijojmë me dëshminë. Është kërkesë proceduriale brenda rendit të ditës. U bënë 30 orë tashmë. Nëse keni kërkesë proceduriale hidheni në votim. Parlamenti i Shqipërisë funksionon me votë. Kërkesa ime është të bësh detyrën. Kërkesa e fundit, thërrisni zotin Beqaj, të flasë”, iu drejtuar Plarent Ndreca, nënkryetari i Komisionit, shërbimeve të Kuvendit.

Në anën tjetër, deputetja demokrate Albana Vokshi shprehet “të mos guxojë garda të lejojë njeri të futet në sallën e Komisionit”. Një tjetër moment tensioni është ai i deputetit socialist Petro Koçi që duke iu drejtuar Petrit Vasilit i thotë “mos guxo të më flasësh mua”, ndërsa Vasili ia kthen “as të kam folur ty”.