Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Rritja reale e pagave në sektorin shtetëror dhe privat, çfarë ka ndryshuar për 2026

Nga 1 janari 2026 paga minimale mujore shkoi në 50,000 lekë, ndërsa paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore do të jetë 186,416 lekë.

Ndryshimet e vitit që sapo ka nisur vlejnë për të punësuarit, vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, njoftojnë tatimet.

Paga minimale edhe pse u rrit me vendim qeveria nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, ose 10 mijë lekë më shumë në vendin tonë, ajo sipas të dhënave të fundit të Eurostat mbetet më e ulëta në Europë.

(PPS) është një njësi monetare artificiale e përcaktuar nga Eurostat që eliminon ndryshimet në nivelin e çmimeve midis vendeve e cila zbulon fuqinë blerëse dhe vlerën reale të pagave pavarësisht se në cilin vend fitohet një e tillë.

Sipas Eurostat, duke llogaritur edhe ndryshimet në inflacion, për Shqipërinë fuqia blerëse është 708 PPS, ndërkohë për Maqedoninë e Veriut një e tillë është 1069 PPS. Në Serbi, paga minimale sipas fuqisë blerëse është 1105 PPS dhe në Mal të Zi, 1058 PPS.

Në fillim të vitit 2026, normat e pagave minimale në Evropë nxjerrin në pah po ashtu një hendek të qartë ekonomik midis vendeve perëndimore dhe lindore.

Vende të tilla si Irlanda dhe Holanda kanë paga minimale mbi 14 euro në orë. Nga ana tjetër, disa zona në Evropën Lindore dhe në Ballkan paguajnë më pak se 2 euro. Vendet perëndimore të BE-së ofrojnë paga më të larta falë produktivitetit më të madh, sindikatave të forta të punës dhe politikave që zvogëlojnë pabarazinë.

Vendet lindore dhe jo-anëtare të BE-së ku bën pjesě Shqipëria paguajnë paga më të ulëta kryesisht sepse ekonomitë e tyre janë më pak të zhvilluara dhe faktorët historikë kanë ngadalësuar progresin e tyre.

Direktiva e BE-së për Pagat Minimale i inkurajon vendet të përcaktojnë pagat minimale në rreth 50-60% të pagës mesatare. Paga mesatare në Shqipëri vlerësohet në 830 euro, por pa marrë në konsideratë informalitetin në sektorin privat.

Nga presioni i BE-së shumë shtete anëtare i kanë rritur vazhdimisht pagat e tyre minimale për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të ulur varfërinë. Por me rritjen e kostos së jetesës, ekspertët pretendojnë se varfëria është thelluar. Po ashtu sektori privat nuk i është përgjigjur vendimit për rritjen e pagave, madje as për të rritur pagën minimale që është detyrim ligjor.

Përmirërsimi i vetëm i rëndësishëm nga ndryshimi i pagave është ai për disa kategori në Administratën Publike. Por fatura do të rëndojë mbi taksapaguesit çka do të thotë se edhe ky zhvillim pozitiv pritet të thellojë edhe më tepër pabarazitë sociale.