Politikë

Shkarkimi i Prodës, Maliqi: Rama përdor dhe flak këdo për pushtet

Ish-deputeti Lefter Maliqi ka reaguar pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit. Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka “shitur” dhe përdorur për interesa politike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Maliqi shprehet se Proda është “kokë turku” i radhës dhe thekson se, Rama vepron në të njëjtën mënyrë me çdo bashkëpunëtor për të ruajtur pushtetin.

“E përdori, e flaku! Ilir Proda ‘kokë turku’ i radhës! Rama shet Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas keqpërdorimit, siç ka shitur çdo bashkëpunëtor tjetër”, shkruan Maliqi për “A2 CNN”.

Maliqi i ka bërë apel Policisë së Shtetit që të mos pranojë “urdhra politikë”, duke shtuar se kryeministri “shet çdo njeri, vetëm për të mbajtur karrigen e tij”.

Në reagimin e tij, ai thekson se opozita synon krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, duke u shprehur se “është radha e popullit guximtar” dhe duke bërë thirrje për largimin e kryeministrit.

“Edhe pak durim! Eshtë radha jonë! Radha e popullit guximtar, e “Qeverisë Teknike dhe “Zgjedhjeve të Lira”! Braktiseni Ramaduron! Ai i përket së shkuarës, Regjimit, Etërve të Diktaturës. Ne do fitojmë!”, tha Maliqi.