Një zënkë mes punonjësve e pronarëve të dy agjencive funerale që operojnë prej vitesh në qytetin e Fierit “Emini” dhe “ Siqeca” ka përfunduar në një konflikt të dhunshëm këtë të martë.
Gazetarja Laureta Roshi ishte e ftuar në emisionin “People” në Euronews Albania për të folur për këtë ngjarje të pazakontë.
“Njëra nga sipërmarrjet e ka selinë e vetë pikërisht në rrugën e spitalit. Të dyja palët mund të jenë konfliktuar se mund të kenë pasur informacion për personin që duhet ta shoqëronin në ceremoninë e varrimit. Kjo ka degjeneruar në këtë lloj konflikti për faktin se rivaliteti mes konkurrentëve nxitet shumë nga fakti se kush e merr vesh i pari, por ndodh edhe që brenda një familje të kemi dy telefonata në agjenci të ndryshme funerale”,-tha gazetarja.
Sipas informacioneve 4 persona përfaqësues të agjencisë funerale “Emini” u kanë zënë pritë pranë vendit të quajtur “Rruga e Spitalit” ku i kanë kërcënuar dy vëllezërit dhe i kanë rrahur me shkop bejsbolli për të mos u prishur punë me klientët pasi konkurrenca e tyre u ka sjellë probleme.
Më pas sherri ka agravuar deri në goditjen e 38-vjeçarit i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.