Sport

“Shpërthen” Agim Canaj pas Apolonia-Korabi: Degjenerim në Fier, s’më ka ndodhur kurrë që…

Agim Canaj, trajneri i Korabit, në prononcimin për “Panorama Sport” pas humbjes në Fier shpërtheu ndaj organizimit të ndeshjes nga klubi i Apolonisë. Ai lë të kuptohet se vonesat me autoambulancat (rreth 50 minuta), ishin të qëllimshme për të shpërqendruar ekipin e tij.

“Jam i zhgënjyer nga organizimi këtu, që është një degjenerim. Kam kaluar 30 vite si trajner profesionist dhe nuk më ka ndodhur kurrë që të përballem me situata të tilla. Situatë e paprecedentë, por mora vesh që këtu në Fier situata të tilla, me vonesa të gjata autoambulancash, janë të përjavshme. Qenka çorganizim i organizuar. Nga kjo situatë, ekipi u shpërqendrua, pasi u përgatitëm dhe hymë në fushë për të filluar menjëherë lojën. Mendoj se vendësi ishte më i përqendruar dhe pikërisht ata e shfrytëzuan këtë. Por ajo që më shqetëson më shumë, është se ne po vuajmë akoma gabimet individuale. Pas rezultatit 1-1, kemi marrë dy gola të evitueshëm dhe identikë, edhe këto janë gabime që kushtojnë.

Ndërhyra në pjesën e dytë, por avantazhi i dyfishtë i fierakëve ndikoi në finalizimin apo dhe qetësinë tonë. Ndërsa fierakët ishin cinikë, shfrytëzuan mirë mundësitë dhe shënuan katër gola. Prodhuam lojë e raste, por pësojmë lehtë dhe më e rënda, pësojmë nga gabimet individuale. Do të shikojmë vazhdimësinë. Me siguri do të ketë ndryshime. Kemi marrë lojtarë të rinj në mesfushë dhe në sulm, por duhet të ndërhyjmë aty ku dhe çalojmë, pra në mbrojtje. Mbrojtësi i ardhur, Shani, më dha sinjale pozitive, ndaj mendoj se kemi fituar një lojtar. Por duhet të shikojmë edhe ndonjë tjetër”, deklaroi trajneri vlonjat.