Një shpërthim i madh ka ndodhur në portin më të madh të Iranit, Bandar Abbas mbrëmjen e së shtunës. Numri i viktimave është rritur gjatë orëve të fundit, duke arritur në të paktën 40, ndërsa më shumë se 1200 persona janë plagosur, raportoi media shtetërore të dielën, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për të shuar plotësisht zjarrin.
Shpërthimi i së shtunës ndodhi në seksionin Shahid Rajaee të portit, qendra më e madhe e kontejnerëve në Iran, duke thyer xhamat për disa kilometra përreth, duke shqyer shirita metalikë nga kontejnerët dhe duke dëmtuar rëndë mallrat brenda, sipas medias shtetërore.
Ngjarja ndodhi ndërsa Irani po zhvillonte raundin e tretë të bisedimeve mbi programin bërthamor me Shtetet e Bashkuara në Oman.
Zjarret vazhduan të shpërthenin në pjesë të ndryshme të zonës së prekur deri të dielën në mbrëmje, sipas medias shtetërore, me helikopterë dhe zjarrfikës që vazhdojnë përpjekjet për t’i shuar ato.
Dyshimet janë që kimikatet në port mund të kenë ushqyer shpërthimin, por shkaku i saktë nuk është i qartë dhe Ministria e Mbrojtjes e Iranit mohoi raportet e mediave ndërkombëtare që sugjeronin se shpërthimi mund të lidhej me keqpërdorimin e karburantit të ngurtë të përdorur për raketa.
Një zëdhënës i ministrisë deklaroi për televizionin shtetëror se raportet ishin “në përputhje me operacionet e armikut”, duke thënë se zona e goditur nga shpërthimi nuk përmbante ndonjë ngarkesë ushtarake.
Agjencia Associated Press citoi firmën britanike të sigurisë Ambrey, e cila tha se porti në mars kishte pranuar peklorat natriumi, i cili përdoret për të lëvizur raketat balistike dhe keqpërdorimi i tij mund të ketë çuar në shpërthim.
Gazeta Financial Times raportoi në janar për dërgesën e dy anijeve iraniane nga Kina që përmbanin mjaftueshëm përbërës për të lëvizur deri në 260 raketa me rreze të mesme, duke ndihmuar Teheranin të rimbushë rezervat e tij pas sulmeve të drejtpërdrejta me raketa ndaj armikut të tij të betuar, Izraelit, në 2024.