Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka shprehur pakënaqësitë e tij për koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ e udhëhequr nga Sali Berisha.
Kritikat ai i ka për mungesën e një kandidati çam në listë të mbyllur, që do t’i garantonte një mandat të sigurt deputeti.
“Jam shumë i keqardhur. Është hera e parë që, as PD-ja as PS-ja, nuk ka asnjë çam në listë të sigurt dhe kjo nuk është rastësi. I kanë kështu, i sjellin të gjithë të mbushin, të marrin sa të marrin që të mos dali PDIU-ja”, tha ai.
Bërjen njësh partinë e minoritetit grek të Vangjel Dules, Shpëtim Idrizi tenton të mos e evidentojë si ndodhi pasi thotë se nuk ka probleme me minoritetin grek, por njëherazi thekson se Greqia duhet të kërkojë falje për genocidin e kryer në fund të Luftës së Dytë Botërore ndaj popullsisë çame.
“Ne nuk kemi asnjë problem me minoritetin grek në Shqipëri. Madje-madje po t’i marrim si dy parti për të drejtat e njeriut, ata duhet të ishin në krahun tonë. Madje ne nuk jemi as kundër shtetit grek, se një ndër kërkesat tona themelore është të kërkojnë një falje publike. Dua ta sqaroj këtë histori që “jemi bërë me Dulen”.
Ne na duhej që të bënim këtë koalicion të detyrueshëm dhe sigurisht që unë kam nënshkruar dhe kam bërë koalicion vetëm me PD-në dhe me Sali Berishën. Me Dulen ka bërë Partia Demokratike”, u shpreh Idrizi.
Deklaratat, Idrizi i bëri teksa prezantoi kandidatin e PDIU-së për qarkun e Vlorës, Skënder Muço.
Koaliconi i PD-së Aleanca Për Shqipërinë Madhështore u firmos me 26 parti, por gjatë rrugës, me akuzat për mungesë transparence e mos përfaqësim në lista, u larguan 3 aleatë, Selami Jenesheri, Vasil Sterjovskit i Aleancës së Maqedonasve i cili iu bashkua listave të Partisë Socialist dhe Gjet Ndoj nga Aleanca Arbonere Kombëtare.