Ish-futbollisti i njohur Redi Jupi, mendon se i dihet dhënë një zgjidhje sa më parë situatave të tolerimeve të ndeshjeve të skuadrave të veçanta që kanë ndikuar renditjen e kampionatit shqiptar. Ish-kapiteni i Dinamos përmendi në “Procesi Sportiv” pikërisht blutë si një nga skuadrat që ka bërë të tilla, duke ndikuar në renditjen e saj, por edhe të ekipeve të tjera.
“Katër skuadrat e para nuk kanë pasur surpriza deri në momente të caktuara por pastaj Elbasani u fut në lojë dhe u bë një rrezik shumë i madh për Partizanin. Më shumë për demerita të Partizanit se sa të themi një potencial të shtuar të Elbasanit në javët e fundit, edhe pse duhet thënë se Elbasani bëri një kampionat dinjitoz dhe erdhi duke rritur nivelin e tij. Gjithsesi, duhet thënë se kjo ndeshje e fundit e Partizanit, fitoi në ndeshje direkte, e zgjidhi shumë nga ato polemikat që mund të kishte apo legjitimitetin e katër skuadrave përpara. Fitorja bëri që Partizani të jetë me plot merita, të jetë në katërshen e skuadrave më të mira të sezonit.
Nga ana tjetër kemi Tiranën që do të luajë në play-our me Pogradecin që ka fituar 1-0 ne Besën që ishte surprizë e madhe se Besa kishte një ekip shumë të mirë. Nuk është e thjeshtë në një ndeshje teke direkte, për gjendjen e rënduar nga e cila vjen Tirana, ai shpenzim i madh i energjive, nga ana psikologjike e rënduar. Pogradeci vjen në ngritje se psikologjikisht janë me pozitivitet në ndeshje. Shpresojmë të jetë një ndeshje pa ndërhyrje, e luftuar, se ka pasur polemika në këto javë të fundit. Janë kambana alarmi shumë të forta, sidomos kur vijnë nga protagonistët e garës, kur një protagonist bën një deklaratë kaq të fortë…
Akuzat e Laçit? Të gjitha këto janë indicie. A e mbani mend që e paralajmëruam këtu atë të Dinamos me Skënderbeun? Këto janë të gjitha indicie, nëse ka vullnet që e gjitha kjo të zgjidhet. Që të goditet ky fenomen, se fenomeni i trukimeve është një fenomen që e godet futbollin në themele e të shkatërron. Nuk ka më shkatërrimtare për të sesa paracaktimi i rezultateve, qoftë tolerim apo trukim. Kur të gjitha janë individuale, e shtohet një e fortë që pastaj gati shkon në rangun e një prove se këta janë aktorë…
Dinamo ishte në vend të dytë, me diferencë me të tjerët, tani i bie të luajë në të tretë për ato tolerimet që ka bërë. Vendi i tretë është më i rrezikuar në gjithë këtë që bëhet. Për pikët që la Dinamo, e ka lëvizur klasifikimin e vet dhe të tjerëve. Jo vetëm kjo, dhe ato aleancat që janë bërë. Nuk jam i sigurt që ai klasifikim është vërtetë renditja e vlerave reale të ekipeve. Ka gjëra që lëvizin aty”, tha ndër të tjera Jupi.