Politikë

Shqipëria pa rrugë, ministrja premton portal me Inteligjencë Artificiale

Ndërkohë që juglindja e vendit është futur në një kolaps total pas shembjeve të njëpasnjëshme në aksin kryesor Librazhd-Korçë, qeveria duket se e ka mendjen te “robotët” dhe rekrutimet virtuale. Përballë realitetit të rrugëve që asfaltohen sot e treten nesër, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka prezantuar zgjidhjen e radhës: një portal punësimi me Inteligjencë Artificiale (IA).

Rrugët Shkërmoqen, Qeveria “Injekton” IA

Ndërsa qytetarët mbeten të bllokuar në radhë kilometrike dhe ekonomia e juglindjes paralizohet nga mungesa e infrastrukturës bazë, Ministrja Pirdeni ka zgjedhur mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së për të folur për “injektime” teknologjike.

Sipas saj, prioriteti i këtij viti nuk janë rrugët e shkatërruara apo korrupsioni që “ha” asfaltin, por një portal i ri që do të bëjë përputhjen e kandidatëve me vendet e punës përmes IA.

“Portali, përmes një elementi injektimi të Inteligjencës Artificiale, do të mundësojë përputhjen mes çdo kandidati dhe çdo pozicioni pune vakant,” u shpreh Pirdeni.

Kontrasti i Hidhur: Digjitalizim në Letër, Mesjetë në Rrugë

Skandali i rrugëve, ku miliona euro zhduken në tendera që nuk garantojnë as qëndrueshmërinë e një sezoni, bie ndesh me fjalorin “futuristik” të ministres. Për qytetarët që nuk lidhin dot Librazhdin me Korçën, premtimet për “meritokraci dhe transparencë” përmes algoritmeve ngjajnë më shumë si një tallje radhe sesa si një vizion shtetëror.

Pikat kryesore të planit të Ministres:

  • Model i ri rekrutimi: Rishikim i ligjit për shërbimin civil.
  • IA në Punësim: Algoritme që do të gjejnë “talentet” (ndërkohë që talentet e vërtetë po ikin nga rrugët e shkatërruara).
  • Shoqëritë Aksionere: Përfshirja e të gjitha ndërmarrjeve shtetërore në portalin e ri.

Juglindja në Krizë, Administrata në “Cloud”

Për banorët e juglindjes, pyetja mbetet: A mund ta rregullojë Inteligjenca Artificiale rrugën e Librazhdit? Ndërkohë që ministrja “çerr” premton një administratë konkurruese, terreni tregon se Shqipëria po mbetet pa rrugë.

Duket se strategjia e qeverisë është e qartë: nëse nuk udhëtoni dot fizikisht për shkak të gropave, të paktën mund të aplikoni virtualisht për punë në një administratë që “shkëlqen” në monitorët e zyrave të Tiranës.