“Shqiponjat” kuqezi, Silvinjo dhe të besuarit e tij, zbarkuan në Varshavë, aty ku të enjten do të përballen me Poloninë, me një objektiv të qartë dhe të vetëm, të fitojnë për të mbajtur të ndezur ëndrrën Amerikane, të shkojnë për herë të parë në një Botëror.

Në aeroportin e kryeqytetit polak nuk munguan as tifozët kuqezi, të cilët i rezervuan një pritje të ngrohtë stafit kuqezi, ndërsa shfrytëzuan edhe rastin të memorizonin këtë moment historik, të bënin foto apo të merrnin autografe.

Në dalje të aeroportit, disa prej lojtarëve kuqezi janë përballur me një pritje entuziaste nga tifozët shqiptarë. Ernest Muçi, Armando Broja dhe Jasir Asani janë ndalur për disa minuta, pasi janë rrethuar nga mbështetës që kërkonin autografe dhe fotografi.

Interesi i lartë i tifozëve pritet të reflektohet edhe në stadium, ku mbrëmjen e 26 marsit parashikohet një prani e konsiderueshme e shqiptarëve. Sektori i tifozëve miq është shpallur zyrtarisht “sold out”, duke konfirmuar mbështetjen e madhe për Kombëtaren në ndeshjen Poloni-Shqipëri.