Kronikë

Shqiptari var veten, zjarri te sera ku punonte shkaktoi 10.000€ dëm

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Volos, ku një 55-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i varur në një serë. Shqiptari, baba i tre fëmijëve, ishte një punëtor i njohur në zonë dhe i dashur për komunitetin lokal. Sipas mediave greke, 55-vjeçari shqiptar e konsideronte veten përgjegjës për zjarrin që kishte rënë më herët në serën ku ai punonte dhe që kishte shkaktuar dëme prej 10 mijë eurosh.

Kjo serë ishte shkatërruar edhe nga përmbytjet e vitit 2023 dhe zjarri i ditës së djeshme ishte goditja përfundimtare. Menjëherë pas largimit të zjarrfikëseve nga vendi i ngjarjes, shqiptari i ka dhënë fund jetës duke u varur.

Kolegu i tij e gjeti të vdekur në orën 20.00, pak orë pas zjarrit dhe kur ekipet e ambulancës arritën në vendngjarje ata thjesht konstatuan vdekjen e tij.

Autoritetet policore kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi, e cila do të zbardhë shkaqet e sakta të vdekjes.