Rezidenca “Olive Park” në zonën e liqenit të Farkës në Tiranë, është sekuestruar këtë të hënë nga autoritetet, për shkak se ka dalë jashtë lejes së ndërtimit. Skrapari News mëson se kompleksi me vila elitare është në pronësi të ish-deputetit të PS, Vladimir Kosta.
Një numër i madh i “Shqiponjave” dhe atyre të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë zbarkuar në mesditë në zonë, të shoqëruar nga trupat e IKMT me në krye Dallëndyshe Bicin, ministrja Albana Koçiu dhe kryepolici Ilir Proda për të njoftuar këtë operacion bllokimi.
Vilat elitare të rezidencës “Olive Park” janë rrethuar me shirita dhe punimet janë ndaluar.
Mirëpo, newsbomb.al mëson se nuk bëhet fjalë për një ndërtim total pa leje, por për tejkalim të lejes së ndërtimit nga zhvilluesi, konkretisht ish-deputeti Vladimir Kosta, i cili ka kthyer në kantier më shumë sipërfaqe sesa ka deklaruar në lejen e miratuar.
Vladimir Kosta ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Edi Ramës në opozitë dhe më pas në qeveri, por që në përfundim të mandatit të parë të qeverisë “Rama 1”, vendosi të tërhiqej nga angazhimi i tij për shkak se nuk kishte marrë “vëmendjen e duhur” nga lidershipi socialist.

Mirëpo, pavarësisht largimit nga Partia Socialiste dhe letrës publike kundër Edi Ramës, bizneset e Vladimir Kostës vetëm kanë lulëzuar dhe janë rritur. Vladimir Kosta ka qenë shumë i afërt me strukturat socialiste të Tiranës dhe ish-kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ky operacion i sotëm i autoriteteve ligjzbatuese në zonën e Farkës, për ndërtimet pa leje, bërë sefte me rezidencën me vila elitare të socialistit Vladimir Kosta, tregon se shteti nuk po kursen as të vetët, duke treguar qartë se të parët që po preken janë në radhët e tyre.