Politikë

“Si mund të quash ‘çështje periferike’ financimin e Kuvendit të Berishës?”, Murrizi shpërthen ndaj Këlliçit: SPAK t’i hetojë pasurinë!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ka ironizuar deputetin Belind Këlliçi, i cili 2 ditë parë, pas dëshmisë në SPAK lidhur me financimin e Kuvendit të Rithemelimit të Sali Berishës të zhvilluar më 11 dhjetor 2022, tha se ishte thirrur për një çështje periferike.

Murrizi tha se ka pasur një denoncim dhe nuk mund të jetë çështje periferike siç e quajti Këlliçi pas dëshmisë 90-minutshe në SPAK.

“Si është çështje periferike kur të kam thirrur çdo person që ke dijeni ose që ke qenë pjesë? Kanë disa padi njëri-tjetrin këta, unë nuk e di ekzakt përderisa nuk ka një deklaratë zyrtare. SPAK duhet të dalë për një njoftim për çfarë ka qenë. Aty ka pasur një denoncim dhe për hetim pasuror dhe për vetë Belindin”,- tha Murrizi për “Frontline”.

Po ashtu shtoi se SPAK duhet të hetojë në mënyrë rigoroze dhe shteruese Këlliçin për pasurinë e tij.

“Duhet ta thërrasësh për ta hetuar për pasurinë që ka”,- tha ndër të tjera Murrizi.