Siguria publike ka prekur fundin, vrasjet po shtohen… por kryepolici nuk duket kurrkund…
Pas shumë vitesh emërimesh politike dhe me porosi, Qeveria Rama në mandatin e saj të tretë vendosi që drejtorin e Policisë ta emërojë me konkurs.
Edhe pse dihej që konkursi do të ishte thjesht sa për sy e faqe, ai u zhvillua dhe në krye të rendit u emërua Ilir Proda. Ai erdhi nga policia e Elbasanit dhe të gjithë kishin pritshmëri prej tij.
Por nëse shohim ngjarjet e 1 viti në detyrë dhe ato të ditëve të fundit, duket sikur Proda është rehat në karrigen ku rri, pa u përzier shumë me punët e sigurisë, edhe pse është përgjegjësi e tij.
Gjatë këtij viti ka pasur atentate, vrasje e krime nga më banalet. Dy ngjarjet më të forta janë padyshim atentati në Lundër, ku u qëllua ndaj një “G Class” dhe fatmirësisht pa viktima, pasi dy fëmijë që ndodheshin në të u plagosën rëndë. Atentati tjetër ndodhi në Shkodër, ku u vranë 2 persona dhe u plagosën dy të tjerë. Shënjestër ishte Erogen Brajoviç, alias Vaso, i cili mbijetoi.
Një javë para tij u vra po në mes të Shkodrës Kristian Kola. Po ashtu, në Sarandë pati përplasje me armë dhe shpërthime me tritol. Një 58-vjeçar u hodh në erë në makinë dhe akoma nuk dihet asgjë mbi autorët. Kemi më pas vrasjen e gjyqtarit Kalaja. I riu udhëtonte me pistoletë në brez kudo dhe Policia nuk e vinte ujin në zjarr.
Po ashtu, një shqetësim i madh është siguria në shkolla. Ka pasur shumë plagosje mes adoleshentëve. Për të mos folur pastaj për vrasjet ordinere “pse më sheh”. Një ngjarje e tillë ndodhi në Durrës sot pak pas mesnate, ku për pasojë dy të rinj humbën jetën. Pas një debati mbi ekspresin e kafesë, nisën të shtënat dhe dy të rinj nuk jetojnë më. Por kjo ngjarje mund të ndodhet në mes të ditës dhe pasojta pastaj do të ishin të pallogaritshme.
Padyshim policia nuk mund të jetë kudo. Por duket se siguria publike ka rënë ndjeshëm. Sot ka pa fund të rinj që janë të armatosur. Duke parë dhe vrasjet e fundit, duket se po futen shumë armë të reja. Por nga të gjithë, ai që nuk e vë ujin në zjarr është kryepolici. Ai del e flet vetëm kur i japin ndonjë dekoratë apo takon të huajt, pasi kur ka ngjarje nuk dihet ku ndodhet. Deri më sot nuk ka bërë asnjë reformë në polici, përveç shkarkimit të disa emrave që kanë goditur miqtë e tij.
Tani që Rama bëri ministre të Brendshme Albana Koçiun, sinjalet janë se krimi do dalë nga duart fare. Albana nuk ia thotë kësaj pune, por duke qenë që edhe Iliri nuk shqetësohet shumë, sinjalet janë se vrasjet do i kemi përditë. /Pamfleti/