Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë ku në radhët e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, efektivët kanë ngritur zërin për një skandal financiar që prek direkt jetesën e tyre.
Sipas denoncimeve, shefja e financës pranë DVP Vlorë, znj. Eftalia, po akuzohet nga punonjësit për manipulim të pagave dhe mbajtje të pajustifikuar fondesh, duke u shkaktuar dëm ekonomik dhjetëra efektivëve.
Pse mbahen këto para? Pse në bankë kalojnë pothuajse 20.000 më pak nga shuma që është e vërtetuar në e-albania? Nëse kjo nuk është shkelje minimalisht a nuk meritojnë një shpjegim këta punonjës?
“Na janë mbajtur nga 200 mijë lekë të vjetra në mënyrë të padrejtë nga paga mujore, me pretendimin se orët shtesë të sezonit veror të kaluar nuk janë tatuar. Në realitet, ato janë tatuar që atëherë dhe justifikimi është krejtësisht fals,” – thuhet në denoncim.
Punonjësit, të frikësuar për pasojat e mundshme si transferime apo largime nga puna, pohojnë se skema e mbajtjes së parave do të vazhdojë edhe për muajt në vijim, duke arritur deri në 600 mijë lekë të vjetra për person.
“Nuk bëjmë dot 10 ditë pushime në vit me familjet tona, ndërsa shefja e financës bën pushime çdo muaj në destinacione luksoze. Djali i saj 18 vjeç lëviz me një makinë 10 mijë euro. Kjo është një tallje me djersën tonë.” – shprehet denoncuesi.
Burime nga brenda strukturës thonë se çdo përpjekje për të kërkuar auditim është “neutralizuar”, me pretendimin se znj. Eftalia ka lidhje të forta dhe ka korruptuar kontrollet financiare që duhej të verifikonin pagesat.
Punonjësit i bëjnë thirrje SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë, duke hapur një hetim për këtë rast të rëndë abuzimi me fondet publike dhe të të drejtave të punonjësve të shtetit.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje JOQ,
Dua të bëj një denoncim serioz në lidhje me llogaritjen e pagave të punonjësve të policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Prej muajsh, financiera e institucionit, zonja Eftalia, po abuzon hapur me të drejtat tona ekonomike. Çdo muaj ndodhin parregullsi në mënyrën si na llogaritet paga, dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Ky muaj ka qenë kulmi. Në portalin e-Albania, paga jonë figuron e plotë, por në llogarinë bankare na mungojnë rreth 200 mijë lekë të vjetra për person, me arsyetimin absurd se “po tatojmë orët shtesë të sezonit të kaluar”. Këto orë janë tatouar dhe paguar në kohën përkatëse. Madje, është paralajmëruar se edhe dy muajt e ardhshëm do të ndodhi e njëjta gjë – pra, në total 600 mijë lekë nga xhepi ynë, padrejtësisht.
Ne kemi frikë të flasim hapur ngaqë ndëshkimi ndaj atyre që ankohen zakonisht është transferimi apo presioni për t’u larguar nga puna. Por kjo që po ndodh është e papranueshme dhe ka kaluar çdo kufi. Eftalia jeton një jetë luksoze, udhëton çdo muaj me pushime jashtë vendit, ndërkohë që ne nuk arrijmë dot të bëjmë 10 ditë pushime në vit me familjet tona. Djali i saj, vetëm 18 vjeç, lëviz me makinë 10 mijë euro, ndërsa ne s’kemi me çfarë të paguajmë ushqimin.
Kërkojmë nga institucionet përkatëse, veçanërisht SPAK dhe organet e auditimit shtetëror, të hetojnë menjëherë këtë situatë. Ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe që të ndalojë kjo vjedhje e hapur ndaj djersës sonë.
Ju lutemi, ruani anonimitetin. Faleminderit!”