Sport

Skënderbeu bën gati revolucionin e janarit, 6 lojtarë me “valixhe në duar”

Skënderbeu do të pësojë një revolucion të mirëfilltë në këtë periudhë merkatoje dhe të shumta do të jenë lëvizjet në kampin korçar. Si rezultat i paraqitjeve jo të mira të ekipit sidomos në fazën e dytë të kampionatit, çka solli edhe ndryshimin e trajnerit te bardhekuqtë, ekipi nuk është më i paprekshëm siç ka qenë në sezonet e tjera.

Pikërisht për këtë arsye duket se drejtuesit e klubit kanë filluar të bëjnë planin e ndryshimeve që do të pësojë skuadra në këtë periudhë pushimi deri në muajin janar kur do të rifillojë sezoni aktual. Edhe pse në klub po tregohen tejet diskrete sa i përket dhënies së informacioneve rreth merkatos burime të gazetës bëjnë me dije se pesë ose gjashtë lojtarë për momentin janë me “valixhet në duar” dhe një biletë vetëm vajtje për largim të menjëhershëm nga Skënderbeu.

Bëhet fjalë për një pjesë të mirë të grupit që nuk ka justifikuar besimin e dhënë nga drejtuesit për të veshur fanellën e Skënderbeut dhe që kanë pasur shumë pak minuta në dispozicion gjatë këtij gjysmë sezoni. Pritet që largimet të shoqërohen edhe me afrime që do të jenë thuajse të njëjtat me largimet për t’i dhënë Gjokës në dispozicion një grup prej 25 lojtarësh, por të mbushur me më shumë cilësi dhe eksperiencë me qëllim që të sjellin reagimin e skuadrës dhe daljen nga kjo pikë krize ku është zhytur ekipi prej javësh.

MERKATO – Prej humbjes me Elbasanin që mbylli edhe vitin 2024 për korçarët, duket se drejtuesit kanë filluar menjëherë punën për të gjetur elementët e duhur dhe afrimet që do t’i bashkohen Skënderbeut në janar. Të njëjtat burime thanë për gazetën se momentalisht është duke u studiuar se çfarë ofron tregu vendës dhe sa të nevojshëm mund të jenë ata lojtarë që mund të dalin të lirë apo mund të lëvizin në këtë moment transferimesh. Më pas gjithçka do të përqendrohet te lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë vendit por edhe të huaj cilësorë që mund të sjellin ndryshimin tek ekipi bardhekuq.