Ka përfunduar sfida mes Bylisit dhe Dinamos, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, përfundoi me fitoren 2-1 të vendasve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja.
“Unë do të thoja që skuadra punoi mirë. Pësuam një gol në goditje standarde. Me ndryshimet që kishim bërë për shkak të Meksit që ishte me grip, kemi kontrolluar lojën. Ajo që nuk shkoi, pasi mund të merrnim 3 pikët, kishim situata dhe raste përballë portierit. Duhej të ishim më cinikë, meritonim shumë më tepër se pësimi i atij goli në minutat e fundit.
Unë do të thoja që skuadra e ka mëndësinë, pasi fusha e Ballshit është e vështirë. Çdo ekip që vjen të luajë në Ballsh nuk e ka të lehtë, pavarësisht klasifikimit që ka Bylis në tabelë. Kundërshtari nuk i krijoi rastet nga presingu, por nga gabimet tona. Ekipi reagoi në lojë, barazim dhe kontroll të madh të lojës, sidomos në pjesën e dytë. Edhe Itodo dhe Zabërgja krijuan situata të favorshme.
Pavarësisht se pësuam gol në minutat e fundit, djemtë e kanë mentalitetin e fituesit. Në pjesën e dytë treguan që e vazhdojmë aty ku e kemi lënë. Me ardhjen e Bregut e disa lojtarëve të tjerë në formën më të mirë, besoj se do kemi po të njëjtën pamje. Edhe pse dihet se faza e dytë do të jetë më e vështirë, por besoj se edhe ekipet e tjera do të kenë probleme të njëjta.
Problemin në mesfushën tonë, e trajtova në fundin e pjesës së parë. Caramba dhe Nani ishte të pozicionuar në një tjetër rol sot dhe nuk po dinin të merrnin hapësirat që po linte Bylis. Po të shikoje 3 sulmuesit tonë, si Nani dhe Caramba ishin 1 kundër 1 me stoperat e Bylisit. Defekti përveç fushës me daljen nga poshtë, ishte dhe Nani me Carambën për shkak të manovrës.
Caramba në fund fare nuk është sulmues, por mesfushor, është 8 në pozicionin e tij natyral. Me futjen e Itodos, edhe Zabërgja di ta bëjë diçka të tillë. Nuk ndryshuam asgjë, por për atë vazhdimësi që donim, këto lojtarët që futëm kishin një tjetër qasje, të cilën e bënë”, është shprehur Ilir Daja.