Politikë

Spartak Ngjela: Shqipëria mes politikës së PS-së dhe halleve personale të Berishës!

Spartak Ngjela

Gjendja politike sot në Shqipëri është një demokraci pa opozitë dhe po kuptohet që ajo në këtë vlerë do të vijojë të jetë, sepse socialistët sot nuk kanë kundërshtar.

Partia kundërshtare e Partisë Socialiste është Partia Demokratike.

Partitë e tjera nuk konkurrojnë dot për pushtet, sepse nuk kanë përqindje të lartë në elektoratin e Shqipërisë.

Kurse Partia Demokratike gjithashtu nuk ka vota për të ardhur në pushtet, sepse ajo nuk ka kryetar të dobishëm për politikën e Shqipërisë, ngaqë kryetari i saj Sali Berisha është i shpallur non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe kjo është arsyeja logjiko-politike që na thotë se Shqipëria sot është shtet me një parti dhe pa opozitë.

Dhe kjo është gjithashtu edhe arsyeja që politika në Shqipëri ka ngrirë tek Partia Socialiste.

Atëherë?

Asgjë.

Derisa kryetar i Partisë Demokratike të jetë një individ i cili është i shpallur non-grata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, socialistët do të kenë një parti absolute në Shqipëri.

Po Partia Demokratike nuk e kupton dot këtë, që të nxjerrë një kryetar tjetër?

E ngremë këtë si pyetje sepse një parti që në funksion të kryetarit të saj është përjashtuar politikisht nga Amerika dhe nga Bashkimi Evropian, nuk mund të konkurrojë dot për pushtet në Shqipëri. Dhe kjo është arsye e fortë sepse sot Shqipëria po kërkon të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

Por…

Duke u nisur nga të gjitha rrethanat e sotme të politikës në Shqipëri, kuptohet se demokratët nuk kanë forcë për të larguar nga kryesia e Partisë Demokratike Sali Berishën.

Po Berisha nuk e kupton këtë?

Për Berishën nuk mund të flitet më për politike, sepse përderisa po qëndron kryetar i Partisë Demokratike në një kohë që është i papranueshëm në Perëndim, kuptohet që ai nuk është me interesin e Shqipërisë në aktivitetin e tij.

Po Partia Drmokratike nuk e kupton që me Sali Berishën kryetar të saj, ajo parti është e izoluar nga Bashkimin Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ja, kjo është sot pyetja e të djathtës në Shqipëri, sepse pa forcën e Partisë Demokratike nuk ka asnjë forcë tjetër që të mundë Partinë Socialiste.

Atëherë?

Asgjë, sepse përgjigjja e pyetjes që bëmë është se, përsa kohë të jetë kryetar Sali Berisha, Partia Demokratike nuk ka asnjë mundësi që të vijë në pushtet.

Atëherë përse po lufton Partia Demokratike?

Për asgjë, sepse kështu siç është ajo po qëndron vetëm për të shpëtuar Saliun nga çështja penale që i është ngritur atij nga SPAK për korrupsion.

Por na duhet duhet të themi se kjo nuk është një politikë shteti dhe për shtetin, por është thjesht një politikë shpie dhe për shtëpinë tënde.