Aktualitet

Spiropali kritikon mediat që e përcollën me ‘lumë marrëzish’ ftesën e Trampit për Ramën

Pak orë pasi u kthye nga Ukraina, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar publikisht lidhur me një zhvillim që ajo e cilëson me peshë të veçantë për pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas saj, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ka ftuar Republikën e Shqipërisë të bëhet pjesë e një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, në cilësinë e Vendit Anëtar Themelues.

Në deklaratën e saj, Spiropali tha se kjo ftesë përbën një vlerësim të lartë për rolin që Shqipëria ka ndërtuar ndër vite në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Ajo shton se ftesa është gjithashtu një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes.

Sipas ministres, pavarësisht rëndësisë së kësaj ngjarjeje, në opinionin publik shqiptar janë përhapur spekulime dhe interpretime të pavërteta, të cilat ajo i cilëson si përpjekje për të deformuar realitetin. Spiropali mohon kategorikisht pretendimet për kosto financiare apo për angazhime të tjera të fshehura, duke theksuar se Shqipëria është ftuar si bashkë-themeluese e një mekanizmi të ri global për ndërtimin e paqes së qëndrueshme, me fokus fillestar edhe në sfida të ndjeshme si e ardhmja e Rripit të Gazës.

Ministrja nënvizon se kjo ftesë përcjell një mesazh të qartë nga administrata amerikane: madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është vendimtare, por rëndësi kanë autenticiteti, koherenca dhe aftësia për të kontribuar realisht në paqe dhe stabilitet. Ajo shton se këto janë vlera që Shqipëria i ka dëshmuar prej vitesh dhe që njihen nga partnerët ndërkombëtarë.

Duke iu referuar debatit të brendshëm politik, Spiropali shprehet se përfshirja e Shqipërisë në mesin e vendeve të ftuara është një arritje e jashtëzakonshme historike, sidomos për një vend të vogël, dhe se në vende të tjera si Argjentina apo Turqia, ftesa të ngjashme janë pritur pozitivisht pa polemika.

Sipas saj, Bordi i Paqes përfaqëson një qasje të re ndaj menaxhimit të konflikteve, duke synuar zgjidhje funksionale dhe afatgjata, përtej deklaratave politike formale. Ajo thekson se përvoja e Shqipërisë si vend që ka dalë nga izolimi, ka investuar në bashkëjetesë dhe bashkëpunim rajonal, si dhe modeli i bashkëjetesës fetare, janë kontribute të rëndësishme që vendi ynë do të sjellë në këtë organizëm.

Spiropali sqaron se, sipas statutit të Bordit të Paqes, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik, duke e cilësuar ftesën jo vetëm si nder, por edhe si përgjegjësi të lartë shtetërore.

Në fund të deklaratës, ministrja thotë se kjo ftesë hedh poshtë çdo pretendim për ftohje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, duke kujtuar se në letrën e Presidentit Trump Shqipëria cilësohet si “një partner i mrekullueshëm”, ndërsa Kryeministri Rama si “një udhëheqës i respektuar ndërkombëtarisht”.